AGJENCIA KOMBËTARE E RINISË
Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) shpall zyrtarisht hapjen e Thirrjes Publike nr. 1 për Projekt-Propozime, në mbështetje të nismave komunitare, të planifikuara dhe të zbatuara nga vetë të rinjtë.
Vlera e granteve që ndahen si pjesë e kësaj thirrje publike duhet të mos tejkalojë shumën maksimale si më poshtë:
-Shuma minimale për projekt-propozimet nga grupet joformale rinore është 300.000 Lekë.
-Shuma maksimale për projekt-propozimet nga grupet joformale rinore është 1.000.000 Lekë.
AKR fton të gjithë të rinjtë e interesuar të konsultojnë dokumentacionin e plotë të thirrjes dhe të përgatisin aplikimet e tyre në përputhje me kriteret dhe prioritetet e përcaktuara në udhëzues.
Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 1 (një) kopje fizike dhe 1 (një) kopje elektronike (USB), të vendosura në një zarf mbi të cilin është shkruar referenca e thirrjes publike (Thirrja Publike Nr.1), përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e Hëne – e Premte) gjatë orarit zyrtar, në adresën në vijim:
Agjencia Kombëtare e Rinisë,
Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 37
Tiranë, Shqipëri
Afati për dorëzimin e aplikimeve është 09.11.2026, ora 16:30. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të jenë shkruar emri i thirrjes publike për projekt-propozime, emri i plotë dhe adresa e aplikuesit, titulli i plotë i projektit dhe mbishkrimi: “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare”. Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa të tjera nuk do të merren parasysh.
AKR do të regjistrojë çdo aplikim të marrë në dorëzim dhe do të lëshojë vërtetimin përkatës (datën dhe orën e pranimit të projekt-propozimit).