A mund të aplikojë një institucion publik që punon në fushën e politikave rinore në kuadër të Skemës së Granteve EU4Youth? Nëse po, cilat janë tematikat dhe fushat prioritare për të cilat mund të aplikohen projektet? Ju lutem, na jepni informacion të detajuar mbi kushtet e aplikimit dhe temat që mbështeten nga kjo skemë.
Jo. Sipas Udhëzuesit për Aplikantët, aplikantë të pranueshëm janë vetëm organizatat e shoqërisë civile, konkretisht organizatat rinore, organizatat për të rinjtë dhe organizatat sportive që plotësojnë kriteret e përcaktuara në thirrje.
Megjithatë, institucionet publike mund të përfshihen në zbatimin e projekteve në rolin e bashkëpunëtorit.
Informacioni i detajuar mbi tematikat, objektivat, kushtet e aplikimit, kriteret e pranueshmërisë, mënyrën e financimit dhe procedurën e aplikimit është i përcaktuar në Udhëzuesin për Aplikantët, i cili është pjesë e dokumentacionit të Thirrjes për Projekt-Propozime, ku mund ta gjeni në linkun në vijim:
https://rinia.gov.al/thirrja-publike-e-skemes-se-granteve-eu4youth-per-organizatat-rinore-organizatat-per-te-rinjte-dhe-organizatat-sportive/
Sipas nenit 12, pika 2, shkronja “c” të Ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”, i ndryshuar, organizatat për të rinjtë duhet të kenë zbatuar për të paktën 3 vite në mënyrë të vazhdueshme projekte dhe programe me impakt te të rinjtë. A i referohet ky kriter domosdoshmërisht periudhës së ekzistencës juridike të organizatës si subjekt i regjistruar, apo mund të merret në konsideratë edhe përvoja e dokumentuar e themeluesve, drejtuesve ose ekspertëve të organizatës, e fituar përpara regjistrimit të saj, nëse provohet përmes dokumentacionit mbështetës (si letra reference, marrëveshje bashkëpunimi, kontrata, raporte aktivitetesh apo dokumente të tjera)?
Kriteri i përcaktuar në nenin 12, pika 2, shkronja “c” të Ligjit nr. 75/2019 “Për Rininë”, i ndryshuar, i referohet organizatës si person juridik dhe jo përvojës individuale të themeluesve, drejtuesve apo ekspertëve të saj.
Për rrjedhojë, periudha minimale 3-vjeçare duhet të provohet përmes veprimtarisë dhe projekteve të zbatuara nga vetë organizata pas regjistrimit të saj si subjekt juridik. Përvoja profesionale ose angazhimet e mëparshme të anëtarëve të organizatës mund të shërbejnë për të dëshmuar kapacitetin e ekipit të projektit, por nuk zëvendësojnë kriterin ligjor që lidhet me përvojën institucionale të organizatës, kur ky kriter kërkohet nga legjislacioni ose dokumentet e thirrjes.
A mund të paraqesë një organizatë më shumë se një aplikim në kuadër të kësaj Thirrjeje për Projekt-Propozime, si aplikant apo partner?
Jo, pjesëmarrja e një organizate në më shumë se një aplikim rregullohet nga dispozitat e përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët.
Ky dokument përcakton qartë:
- Aplikanti kryesor nuk mund të paraqesë më shumë se 1 (një) aplikim në kuadër të kësaj thirrjeje.
- Aplikanti kryesor nuk mund të jetë partner në një aplikim tjetër në të njëjtën kohë.
- Partneri nuk lejohet të paraqitet si partner në më shumë se 1 (një) aplikim në këtë thirrje.
Për këtë arsye, çdo organizatë duhet të konsultojë me kujdes seksionin përkatës të Udhëzuesit për Aplikantët përpara dorëzimit të aplikimit, në mënyrë që të sigurohet se pjesëmarrja e saj është në përputhje me rregullat e Thirrjes për Projekt-Propozime.
A mund të financohen aktivitete ose shpenzime që janë kryer përpara nënshkrimit të Kontratës së Grantit?
Jo. Vetëm aktivitetet dhe shpenzimet e kryera gjatë periudhës së zbatimit të projektit, siç përcaktohet në Kontratën e Grantit, mund të konsiderohen të pranueshme për financim. Kushtet për pranueshmërinë e shpenzimeve, periudhën e zbatimit të projektit dhe rregullat financiare janë të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët dhe në Draft Kontratën e Grantit. Aplikantët duhet t’i konsultojnë këto dokumente përpara planifikimit të buxhetit dhe aktiviteteve të projektit.
Çfarë ndodh nëse aplikimi nuk është i plotë ose nuk dorëzohet sipas kërkesave të Thirrjes për Projekt-Propozime?
Aplikimet duhet të përgatiten dhe dorëzohen në përputhje me kërkesat e përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët. Aplikimet që nuk përmbajnë dokumentacionin e kërkuar, nuk janë plotësuar sipas formateve zyrtare, dorëzohen pas afatit të përcaktuar ose nuk përmbushin kërkesat administrative të thirrjes, mund të refuzohen gjatë fazës së verifikimit administrativ dhe të mos kalojnë në fazën e vlerësimit cilësor. Për këtë arsye, aplikantët këshillohen të verifikojnë me kujdes plotësinë e dokumentacionit përpara dorëzimit të aplikimit.