AGJENCIA KOMBËTARE E RINISË (AKR) SHPALL:
THIRRJEN PUBLIKE NR. VII PËR PROJEKT-PROPOZIME
DREJTUAR:
ORGANIZATAVE RINORE DHE ORGANIZATAVE PËR TË RINJTË
A. Projekt-propozimet të cilat do të dorëzohen nga organizatat rinore dhe për të rinjtë duhet të kenë në fokus rininë referuar këtyre prioriteteve:
1. Fusha e përparësisë Nr. 1: Kultura e Mendimit Kritik dhe Lidershipit Rinor – Fuqizimi i të rinjve përmes edukimit joformal, zhvillimit të aftësive analitike, argumentuese dhe vendimmarrëse, si dhe rritja e pjesëmarrjes së tyre aktive, të informuar dhe të strukturuar në jetën publike, institucionale dhe shoqërore.
2. Fusha e përparësisë Nr. 2: Sporti dhe Futbolli – Promovimi i aktivitetit fizik si mjet për mirëqenien dhe integrimin social, me fokus të veçantë në bashkëpunimin me strukturat sportive për masivizimin e futbollit ndër të rinj.
3. Fusha e përparësisë Nr. 3: Angazhimi i Diasporës – Integrimi i potencialit të rinisë në diasporë, në përputhje me Planin Kombëtar të Qeverisë Shqiptare për forcimin e lidhjeve me bashkëatdhetarët.
4. Fusha e përparësisë Nr. 4: Rinia, Paqja dhe Siguria (YPS) – Implementimi i objektivave në kuadër të agjendës së Kombeve të Bashkuara (Rezolutat 2250, 2419 dhe 2535), si dhe kontributi në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG). Fokusi kryesor do të jetë në fushatat ndërgjegjësuese kundër gjuhës së urrejtjes.
5. Fusha e përparësisë Nr. 5: Fushata informuese, sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese për votuesit për herë të parë – Nxitja e pjesëmarrjes qytetare dhe rritja e ndërgjegjësimit për proceset demokratike tek të rinjtë që votojnë për herë të parë.
6. Fusha e përparësisë Nr. 6: Kapitali njerëzor – Zhvillimi dhe fuqizimi i aftësive, kompetencave dhe potencialit të të rinjve përmes edukimit, formimit profesional dhe mundësive të punësimit.
B. Vlera e granteve që ndahen si pjesë e kësaj thirrje publike duhet të mos tejkalojë vlerën maksimale si më poshtë:
-Shuma maksimale për projekt-propozimet nga organizatat rinore është 2.000.000 Lekë.
– Shuma për projekt-propozimet nga organizatat për të rinjtë është nga 4.000.000 Lekë deri në 8.000.000 Lekë.
Aplikimet e plotësuara (me të gjithë dokumentet mbështetëse) duhet të dorëzohen në 3 (tre) kopje fizike dhe 1 (një) kopje elektronike (USB), të vendosura në një zarf të vulosur mbi të cilin është shkruar referenca e
thirrjes publike, përmes postës zyrtare apo personalisht, gjatë ditëve të punës (e hëne – e premte) gjatë orarit zyrtar, në adresën në vijim:
Agjencia Kombëtare e Rinisë,
Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 37
Tiranë, Shqipëri
Afati për dorëzimin e aplikimeve është 13.07.2026, ora 16:30. Aplikimet e dorëzuara pas këtij afati do të merren parasysh vetëm nëse vula postare tregon se data dhe koha e dërgimit kanë qenë para mbylljes së afatit zyrtar. Në pjesën e jashtme të zarfit duhet të jenë shkruar emri i thirrjes publike për projekt-propozime, emri i plotë dhe adresa e subjektit aplikues, titulli i plotë i projektit dhe mbishkrimi: “Të mos hapet përpara hapjes zyrtare”. Aplikimet e dërguara në mënyra tjera (p.sh. me faks apo e-mail) ose që janë dërguar në adresa të tjera nuk do të merren parasysh.
AKR do të regjistrojë çdo aplikim të marrë në dorëzim dhe do të lëshojë vërtetimin përkatës (datën dhe orën e pranimit të projekt-propozimit).
