RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” përmbyll me sukses katër ditë dialogu, bashkëpunimi dhe fuqizimi të të rinjve

RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” mblodhi për katër ditë rreth 200 të rinj nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, duke krijuar një platformë dialogu, bashkëpunimi dhe shkëmbimi përvojash, me fokus integrimin evropian dhe rolin e të rinjve në zhvillimin e shoqërisë.

Përgjatë kampit u zhvilluan sesione tematike, panele diskutimi dhe aktivitete ndërvepruese me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve. Diskutimet u përqendruan në temat e integrimit evropian, mundësive që ofrojnë programet e Bashkimit Evropian, pjesëmarrjes rinore në proceset vendimmarrëse, shëndetit mendor, sportit, rekreacionit dhe fuqizimit të rolit të të rinjve në jetën shoqërore.

Një nga momentet kryesore të këtij edicioni ishte bashkëbisedimi i hapur i të rinjve me Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, dhe Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit adresuan pyetje dhe ndanë ide, mendime dhe propozime mbi procesin e integrimit evropian dhe perspektivat e të rinjve në këtë rrugëtim.

Përmes këtij edicioni, RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” rikonfirmoi rëndësinë e krijimit të hapësirave ku të rinjtë mund të angazhohen, të shkëmbejnë përvoja dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi me institucionet dhe partnerët zhvillimorë.

Agjencia Kombëtare e Rinisë shpreh mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit, partnerët dhe të ftuarit që kontribuan në organizimin dhe suksesin e RinCamp 2026, duke forcuar angazhimin e përbashkët për fuqizimin e të rinjve dhe promovimin e vlerave evropiane.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë