MSHRF me mbështetjen e AKR në bashkëpunim me KKR, organizon Konferencën “Rinia në Veprim”

Me 600 të rinj nga e gjithë Shqipëria zhvilluam konferencën kombëtare “Rinia në Veprim”, për të ndarë risitë e Ligjit të Ri “Për Rininë”, i cili garanton pjesëmarrje reale të të rinjve në tryezat ku merren vendimet dhe mbështetje financiare për të çuar përpara idetë dhe nismat e tyre.

Në panelin “Ligji i Rinisë dhe Vullnetarizmit – Çfarë ndryshon për të rinjtë?”, së bashku me Geronin, Irisin, Irën dhe Jaseminën – diskutuam risitë e Ligjit “Për Rininë”, që garanton përfshirje reale dhe mbështetje financiare për idetë dhe iniciativat e të rinjve.

Po ashtu, ndamë punën që po bëhet për përmirësimin e Ligjit “Për Vullnetarizmin”, që synon ta bëjë angazhimin qytetar më të lehtë, të aksesueshëm dhe kuptimplotë për të gjithë të rinjtë.

Paneli “Unifikimi i zërit rinor – bashkëpunimi mes pushtetit vendor, KVR-ve, KKR-ve dhe Këshillave Studentorë” bëri bashkë drejtues të pushtetit vendor, profesionistë të rinj dhe anëtarë të KKR dhe KVR-ve.

Andisi, Enkelejda, Kamila, Klajdi, Odeta, Brusi, dhe Elsa, diskutuan mbi forcimin e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe strukturave rinore, rolin vendimmarrës të të rinjve dhe mbështetjen financiare për Nismat Komunitare të propozuara nga grupet joformale të të rinjve – tashmë të garantuara falë ndryshimeve në Ligjin “Për Rininë”. 

Në panelin “Tranzicioni nga Shkolla drejt Punës: Garancia Rinore, Këshillimi i Karrierës dhe sfidat e perspektivat e tyre”, drejtues të nivelit të lartë dhe përfaqësues të institucioneve u angazhuan në dialog të drejtpërdrejtë me të rinjtë e Këshillit Kombëtar Rinor dhe Këshillave Vendorë Rinorë, të cilët ishin pjesë aktive e çdo paneli.

Të rinjtë sollën ide dhe propozuan zgjidhje konkrete, duke ndarë pikëpamjet e tyre mbi mundësitë që ofrohen për brezin e ri, nga arsimi dhe këshillimi i karrierës, te zhvillimi i aftësive dhe punësimi, përmes programeve që Qeveria shqiptare vë në dispozicion për të rinjtë.

Konferenca “Rinia në Veprim” vijoi me tre workshop-e dinamike, ku të rinjtë e Këshillave Vendorë Rinorë sollën ide dhe propozime konkrete, me fokus në forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e rolit të strukturave rinore në zbutjen e tranzicionit nga shkolla në punë, si edhe ndërtimin e një plani të përbashkët pune mes KVR-ve dhe Këshillave Studentorë.

Propozimet më premtuese, të vlerësuara nga vetë të rinjtë në sallë, do të çohen përpara për të vijuar në tryezat që bashkëdrejtohen me të rinjtë.

Me energjinë, idetë dhe zërin e 600 të rinjve nga e gjithë Shqipëria, përmbyllëm një konferencë, e cila nuk ishte thjesht një aktivitet – por një dëshmi e fuqisë që ka rinia kur flet, propozon dhe vepron.

Të gjithë panelet e kësaj konference janë konceptuar me të rinj në qendër – si zë, mendim dhe drejtim. Sepse rinia nuk është thjesht pjesëmarrëse, ajo vepron, Ky është momenti – ku zëri i të rinjve jo vetëm dëgjohet, por bëhet edhe pjesë e vendimmarrjes.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë