AKR zhvillon takim me Komisionin Studentor të EUSA-s për bashkëpunimin në fushën e sportit dhe rinisë

Agjencia Kombëtare e Rinisë zhvilloi në Tiranë një takim me përfaqësues të Komisionit Studentor të Shoqatës Evropiane të Sporteve Universitare (EUSA), me fokus rëndësinë e sportit, angazhimin e studentëve dhe mundësitë për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet AKR-së dhe EUSA-s.

Në takim, Komisioni Studentor i EUSA-s u përfaqësua nga kryetarja Julia Zlatkova (Bullgari) dhe anëtarët Helena Kace (Shqipëri), Wiktor Makowski (Poloni) dhe Gor Hambarchyan (Armeni).

Gjatë diskutimit u theksua rëndësia e vullnetarizmit dhe pjesëmarrjes aktive të studentëve, si dhe roli i sportit në promovimin e një stili jetese të shëndetshëm dhe në mbështetjen e mirëqenies fizike dhe mendore të të rinjve.

Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu ide dhe mundësi për zhvillimin e aktiviteteve dhe iniciativave të përbashkëta, ku Agjencia Kombëtare e Rinisë mund të kontribuojë në bashkëpunim me EUSA-n, me synim krijimin e më shumë mundësive për përfshirjen aktive të të rinjve dhe studentëve në sport, vullnetarizëm dhe aktivitete komunitare.

Ky takim përbën një mundësi për forcimin e bashkëpunimit me organizatat evropiane që veprojnë në fushën e sportit universitar dhe për promovimin e iniciativave që vendosin të rinjtë dhe studentët në qendër të aktiviteteve sportive, sociale dhe komunitare.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë