Fillon proçesi i votimit për anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rinisë

Kandidatë, përfaqësues të organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë

Andi Bibo ka kryer studimet e larta (Bachelor dhe Master) pranë Fakultetit të Edukimit në “Mësimdhënie në Gjuhë Letërsi Anglisht” pranë universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës, në  vitin 2013. Gjatë kohës së studimeve ka qenë i angazhuar si futbollist pranë disa ekipeve. Gjithashtu në vitin 2015 është licencuar si trajner futbolli (UEFA-B) pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Në vitin 2017 mori nismën për të themeluar Qendrën për Edukim dhe Sport “SKILLS”, ku pasioni dhe dijet e tij u vendosën në shërbim të komunitetit në qytetin e tij të fëmijërisë, Cërrikut. Me anë të qendrës “SKILLS”, Andi synoi të krijoj mundësi për të fuqizuar të rinjtë dhe fëmijët për të bërë aktivitete sportive dhe për të marrë një mbështetje në edukimin jo formal. Prej vitit 2020, ka qenë pjesë e implementimit të disa projekteve të rëndësishme për të rinjtë e qarkut të Elbasanit. Gjatë drejtimit të qendrës SKILLS, është ballafaquar me shumë sfida të një pas njëshme të cilat janë kaluar bashkë me të rinjtë.              

 Andi Bibo – CV

Ania aktualisht është në vitin e katërt të studimeve në Fakultetin e Drejtësisë pranë Universitetit Europian të Tiranës. Aktivizimi i saj nisi me pjesëmarrjen në shumë aktivitete të shoqërisë civile. Nga Korriku 2021 deri në Dhjetor 2022, ajo mbajti pozitën e një nga Delegatëve Rinor të Shqipërisë në OKB, ku së bashku me bashkë delegatin e saj, u angazhuan në promovimin e Agjendës 2030 dhe vlerave të OKB-së, teksa synuan të fuqizonin rininë në nivel lokal dhe kombëtar. Aktualisht, ajo është një anëtare aktive e kapitullit rinor të Shoqatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, ku së fundmi është zgjedhur si anëtare e Bordit dhe mban pozitën e bashkë drejtueses të Departamentit të Projekteve dhe zhvillon më tej elementët themelorë të aktivizmit të saj, si dhe punon drejt zhvillimit të qëndrueshëm në komunitetin e saj lokal. Nëse i jepet privilegji për të shërbyer në KKR, ajo do ta bazoj angazhimin e saj në përvojat dhe mësimet që ka marrë nga eksperiencat e mësipërme, ku do të aspiroj mbrojtjen e iniciativave që kanë në qendër rininë dhe që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm, pjesëmarrjen qytetare dhe arsimin. Për më tepër, ajo do të punoj me zell së bashku me anëtarët e Këshillit për të lehtësuar dialogun midis institucioneve shtetërore dhe rinisë, duke synuar të kapërcejmë hendekun që ekziston dhe të mundësojmë hapësira të mëtejshme për bashkëpunim efektiv.                                                             Ania Sauku – CV 

Borjana Dine ka përfunduar studimet Bachelor dhe më pas është specializuar në Psikologjinë e Edukimit në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Që prej vitit 2021 ajo është pedagoge e jashtme në këtë Universitet. Aktualisht është pjesë e Linjës së Këshillimit për Fëmijë ALO 116-111 e angazhuar si koordinatore projekti, i përbashkët me Save the Children nën synimin e advokimit dhe orientimit mbi rolin e prindërimit pozitiv dhe disiplinës pozitive nëpërmjet takimeve me të rinj edhe prindër. Borjana ka qënë pjesë e disa trajnimeve dhe konferencave brenda dhe jashtë Shqipërisë duke relatuar dhe adresuar problematikat e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Përgjatë periudhës së saj të angazhimit si aktiviste rinore pranë CRCA/ECPAT Shqipëri, Borjana ka patur mundësi të japë kontributin në programin e drejtësisë për të rinjtë në konflikt me ligjin, programet e rritjes së pjesëmarrjes të të rinjve në vendim marrje etj. Borjana është e angazhuar në mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve nga Shqipëria në procesin e raportimit dhe dialogut me Komitetin për të Drejtat e Fëmijëve në Gjenevë për raportimin e mbrojtjes së fëmijëve dhe të rinjve. Borjana beson se të rinjtë janë fuqizimi konkret i një kombi, e si të tillë, duhet të jenë ata që sjellin konceptet e reja me qëllim përmirësimin e çështjeve që ju përkasin të rinjve dhe jo vetëm, duke u zotuar për  t’ju përkushtuar denjësisht këtij roli.                                           Borjana Dine – CV

Dea Shehu është një aktiviste e pasionuar pas të drejtave të grave dhe të rinjve dhe ka mbi katër vite eksperiencë në udhëheqjen dhe zbatimin e projekteve me të rinjtë fokusuar në fusha si përfshirja e rinisë në zhvillimin e politikave rinore, barazia gjinore, ndërtimin e paqes dhe sigurisë. Qëllimi kryesor i aktivizmit të saj është të mbështes vajzat e reja, të rinjtë dhe përfaqësuesit e komuniteteve të marginalizuara për të jetuar një jetë më të mirë dhe për të marrë pjesë aktive në shoqërinë tonë. Dea ka përvojë të mëparshme pune në mjedisin kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar duke përfshirë angazhimin me partner dhe organizata si UN Women, UNICEF, Guxo, Observatori për të Drejtat e të Rinjve dhe Fëmijëve, Y-Peer, Youth Voice, UNOPS si staf, asistent, trajnere dhe vullnetare. 

Dea Shehu – CV

Entela Gjyla është sociologe, këshilltare karriere, trajnere dhe mentore me fokus në rritjen e pjesëmarrjes dhe aktivizmit të të rinjve. Me një interes për sociologjinë dhe kulturën, Entela sjell një perspektivë unike në punën e saj për fuqizimin e të rinjve. Për më shumë se shtatë vjet, është e angazhuar në mënyrë aktive në shoqërinë civile, duke punuar me të rinjtë për rritjen e tyre personale dhe profesionale. Entela ka përvojë si koordinatore vullnetarësh, drejtuese ekipesh dhe menaxhere eventesh. Gjatë punës për drejtimin dhe mentorimin e aktivistëve të rinj ka nxitur të menduarit krijues dhe analitik, duke i inkurajuar ata të jenë aktivë në komunitetet e tyre. Si anëtare e KKR-së, synon të advokojë për politika dhe iniciativa që adresojnë nevojat e të rinjve. Entela aspiron të jetë një zë për fuqizimin e tyre, duke nxitur një mjedis ku aftësitë e tyre njihen dhe mbështeten. Përmes angazhimit, fokusi do të jetë në sigurimin e cilësisë dhe përmirësimin e programeve duke kontribuar në misionin e KKR-së për të nxitur ndryshime pozitive në komunitetin e të rinjve në Shqipëri. 

Entela Gjyla – CV

Jesmina është aktiviste e shoqërisë civile prej 5 vitesh. Ajo angazhohet vullnetarisht si Koordinatore e Edukatorëve Bashkëmoshatarë pranë Rrjetit të Organizatave “Zëri i Të Rinjve” dhe punon si koordinatore projekti pranë SCiDEV, ku është përgjegjëse për programet që kanë për qëllim fuqizimin e kapaciteteve advokuese dhe komunikuese të të rinjve. Përgjatë rrugëtimit të saj në shoqërinë civile, Jesmina është angazhuar si mentore e fëmijëve nga komuniteti rom dhe egjyptian pranë Shoqatës “Vish Këpucët e mia” si dhe ka qenë anëtare bordi e Këshillit Rinor të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Kontributi për të cilin ajo është më krenare është konceptimi dhe implementimi i projektit “Every Day is Women’s Day” së bashku me kolegët e saj nga Këshilli Rinor i Ambasadës Amerikane. Vlerat të cilat Jesmina mbështet aktivisht në punën e saj të përditshme janë drejtësia sociale, barazia gjinore, përfshirja e komunitetit në vendimmarrjen politike si dhe vendimmarrja e bazuar në të dhëna. Prioritetet e saj nëse përzgjidhet si anëtare e KKR do të jenë rritja e informimit të të rinjve mbi organet e parashikuara në Ligjin e Rinisë, rritja e vizibilitetit dhe fuqizimi i kapaciteteve të anëtarëve të KVR si dhe mbështetja e objektivave të Strategjisë Kombëtare të Rinisë që kanë në fokus përfshirjen e të rinjve nga grupet e margjinalizuara.

Jesmina Sengla – CV

Jon Kola aktualisht është duke ndjekur studimet në degën e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Brenda këtij viti akademik, Joni mban rolin e Zëvendës Presidentit për Seminare dhe Konferenca në Shoqatën Evropiane të Studentëve të Drejtësisë në Shqipëri, një organizatë e dedikuar për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe akademike të studentëve të drejtësisë në Shqipëri. Krahas aktiviteteve të tij akademike, Jon është angazhuar gjerësisht në sektorin e shoqërisë civile. Ai ka marrë pjesë në programe trajnimi, akademi dhe konferenca që i kushtohen politikë bërjes lokale, rajonale dhe evropiane. Kola punon si Koordinator Projekti dhe Menaxher Politikash pranë Shoqatës “Përtej Barrierave”, e cila është dhe Pika Kombëtare e Kontaktit për Programin Erasmus+. Kontributet e tij brenda organizatës mbështeten veçanërisht rreth Edukimit për të Drejtat e Njeriut, Ndërtimit të Demokracisë dhe Pjesëmarrjes Aktive përmes informimit, edukimit dhe ndërgjegjësimit për këto tema tek të rinjtë dhe të rriturit përmes qasjeve të ndryshme pedagogjike. Gjithashtu, Joni mban pozicionin si Anëtar i Bordit Drejtues të Kongresit Rinor Kombëtar. Përgjegjësitë e tij përfshijnë dhe përfaqësimin e organizatës për palët e jashtme të interesuara dhe komunitetin më gjerë.

Jon Kola – CV

Klajdi Priska punon si Përgjegjës Politikash dhe Koordinator Projekti në Kongresin Rinor Kombëtar. Ai ka një diplomë bachelor në shkenca kompjuterike dhe ka studiuar në kurset profesionale të shkencave ekonomike dhe politike. Ka kryer studimet në Universitetin Humboldt të Berlinit dhe në Universitetin e Tiranës. Pjesë e edukimit të tij është edhe një seri mësimesh joformale në programin Erasmus+ së bashku me seminare dhe konferenca ndërkombëtare. Ai ka qenë pjesë e grupeve të politikëbërjes rinore dhe ka vepruar si koordinator i marrëdhënieve të jashtme në forumet rinore politike shqiptare. Gjatë gjithë karrierës së tij, ai është angazhuar në ngritjen e kapaciteteve dhe ka qenë vullnetar në shoqërinë civile dhe ka punuar me OJF-të për të promovuar aktivitetet e tyre. Aktualisht Klajdi merret me bashkëpunimin rajonal dhe është delegat i KRK-së në Forumin Rinor Evropian. Ai mbikëqyr zbatimin e Agjendës për Rininë, Paqen dhe Sigurinë në Shqipëri dhe rajon në përputhje me Kombet e Bashkuara. Gjithashtu, me mbështetjen e më shumë se 150 organizatave rinore në Shqipëri, Klajdi u zgjodh anëtar i Bordit Drejtues në Zyrën Rajonale për Bashkëpunim Rinor dhe aktualisht mban pozicionin e Përfaqësuesit të Rinisë Shqiptare në RYCO. Për më tepër, ai ka drejtuar për tre vitet e fundit në katër sezone radhazi projektin “RinON pjesë e Serisë RinVote”. Aty ai  ka shfrytëzuar formimin e tij akademik dhe profesional për të trajtuar shumicën e aspekteve të zbatimit të këtij projekti. Përpjekjet e tij në çdo kohë janë në përputhje me vlerat e tij personale, kombëtare dhe evropiane.                                                 Klajdi Priska – CV  

Klara Kodra ka përfunduar studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë, UT. Ka kryer një master në Fakultetin e Shkencave Sociale, Politika dhe Qeverisja Publike. Angazhimet e saj kanë qenë në organizata të shoqërisë civile vendase dhe të huaja. Ajo ka qenë e angazhuar në organizata të shoqërisë civile që nga viti 2012. Pranë, Qendrës Europiane punon prej vitit 2013 si menaxhere projektesh dhe nga viti 2020 është drejtore ekzekutive e Qendrës për Zhvillim dhe Integrim Europian (Qendra CEDI). Në vitin 2018 ka kryer një vizitë studimore në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Eksperienca e saj në punë përfshin shkrimin dhe zbatimin e projekteve me në fokus të drejtat e njeriut, prezantime, trajnime për të rinjtë të tematikave të ndryshme. Eksperienca e saj shumë vjeçare në shoqërinë civile dhe veçanërisht në projekte që kanë pasur në fokus të rinjtë do të ishte një kontribut i vlefshëm për KKR. 

Klara Kodra – CV

Lorenca Bejko është Doktore në Diplomaci, diplomuar nga Qendra e Studimeve Diplomatike dhe Strategjike në Paris dhe ka sherbyer si Diplomate, me gradën e Parë-Sekretare në Ambasadën Shqiptare në Holandë. Në shkurt 2021, ajo ishte përfaqësuese e të rinjve të Francës në Asamblenë e 25-të në New York, selia e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ajo që e dallon përvojën e punës dhe angazhimin e saj janë eksperiencat  e internshipit në Ambasadën e Libanit në Paris dhe në Ambasadën Shqiptare në Francë. Lorenca ka qenë presidente e organizatës së të drejtës europiane “Elsa” në universitetin e Sorbonnes për dy vite.  Aktualisht Lorenca është anëtare e Këshillit Rinor pranë Bashkisë Tiranë, lektore e gjeopolitikës midis Parisit dhe Tiranës, si dhe kandidate doktorante në të drejtë kushteutese nga Universiteti i “Sorbonnes” dhe Universitetit “Vrije” në Amsterdam.

Lorenca Bejko – CV 

Marieli ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës dhe më tej ka vijuar me me licensimin si Avokat nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë Tiranë. Ai ka ndjekur disa trajnime në fusha të ndryshme. Prej më shumë se 7 vitesh punon në fushën e projekteve të ndryshme në të gjithë Shqipërinë që kanë në foksus fëmijët dhe të rinjtë. Eksperiencat e tij profesionale përfshijnë pozicione si koordinator, menaxher, konsulent dhe trainer. Angazhimi në organizatën Edu Innovation si anëtar themelues është një pasion përtej punës që ka bërë të kuptoj sesa e rëndësishme është që të kemi fokusin tek fëmijët dhe rinia. Përmes projekteve që ka implementuar me organizatën, Marieli ka arritur të analizoj dhe të adresoj problematikat që kanë të rinjtë sot përmes projekteve të vazhdueshme dhe se çfarë hapash konkretë duhet të ndërmarrin. Përmes anëtarësis në KKR, ai synon të përcjell nevojat reale që kanë të rinjtë sot dhe të jap kontributin e tij në mënyrë që të arrij të ketë impakt në përmirësimin e cilësisë së jetës së të rinjve dhe forcimit të statusit të tyre në shoqëri.

Mariel Hysa – CV

Orjana Çekrezi, aktiviste e shoqërise civile, është aktualisht duke ndjekur studimet në master shkencor në fushën e Menaxhim Biznesi dhe Marketing, në Universitetin Europian të Tiranës, ku prej dy vitesh ka përfaqësuar dhe Këshillin Studentor, në pozicionin e presidentes. Ajo ka nisur rrugëtimin e saj si vullnetare e aktiviste në shoqërinë civile qysh prej 8 vitesh. Duke u angazhuar me organizata të ndryshme të shoqërisë civile dhe me iniciativa qytetare, eksperienca e saj lidhet kryesisht me aktivizmin rinor e qytetar, të drejtat e njeriut, të drejtat në punë, çështjet studentore, transparencën në vendimmarrje, barazinë gjinore etj. Prej 4 vitesh Orjana është pjesë e Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, një hapsirë rinore e cila promovon interesat e të rinjve, ku me entuziazëm dhe këmbëngulje ka arritur të jetë një zë përfaqësues i të rinjve shqiptarë, duke ndërmarrë iniciativa dhe projekte të ndryshme. Me angazhimin e saj në komunitet dhe me njohuri në sektorin e rinisë si dhe të praktikave nga Ballkani Perëndimor e Europa, Orjana si një e re që vjen vetë nga zonë rurale, synon që me përfaqësimin si anëtare e KKR të adresojë çështje që me të vërtetë mund të përmirësojnë sektorin e rinisë duke mbajtur në konsideratë dhe praktikat pozitive ekzistuese dhe duke sjellë në vëmendje edhe nevojat e rinjve nga rrethet e zonat rurale.                         Orjana Çekrezi – CV

Qamile Gishti është Drejtoreshë Ekzekutive e Agjencisë Rajonale të Zhvillimit Berat, e mirënjohur si RDAB, organizatë jofitimprurëse e themeluar që në vitin 2000  nga një projekt i UNDP në mbështetje të SME-ve në Shqipëri. Ndër vite, RDAB ka zgjeruar aktivitetin e saj duke implementuar projekte të ndryshme zhvillimi kombëtare dhe ndërkombëtare. Qamilja ka  më shumë se 7 vite eksperiencë në role të ndryshme si koodinatore programi, eksperte, monitoruese etj., në hartimin dhe zbatimin e projekteve me fokus rininë. Ajo ka zhvilluar kualitete të cilat e bëjnë një kandidate të denjë në Këshillin Kombëtar të Rinisë, ku mund të tregojë aftësitë e saj drejtuese, në komunikim dhe kryesisht dëshirën e madhe për të dhënë kontribut në politikat rinore në saj të eksperiencës akademike,  profesionale, mendimit kritik dhe analitik.

Qamile Gishti – CV

Vasilika Laska ka mbaruar studimet Bachelor në Shkencat Politike me një profil në Administratën Publike dhe ka vazhduar Master Shkencor në Shkencat Politike, duke u specializuar në Menaxhimin dhe Vlerësimin e Projekteve. Vasilika ka arritur rezultate ekselente në të gjitha ciklet e studimit. Në sferën akademike, ka arritur një sukses të madh me botimin e punimit të parë shkencor mbi “Rolin e Partive Politike në Rendin Kushtetues në Shqipëri”, i cili sapo është publikuar në Revista Shkencore “Jus&Justicia”. Aktualisht ka rolin e Koordinatores së Përgjithshme për Organizatën Jofitimprurëse Social Inclusion for Development. Në këtë organizatë ajo është angazhuar në disa projekte ku ndër të cilat mund të përmendim projektet “Unë, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak”, nëpërmjet të cilit ka hartuar Draft Strategjinë  Lokale ‘Për Rininë 2023/ 2027 për Bashkinë Lezhë, projekti “Edukimi ligjor i qytetarëve të Lezhës në kuadër të reformës administrativo-territoriale 2014”, ‘Angazhimi i Shkollës për Qytetari Aktive’, Vozisim N’Drin’ dhe “Change Yourself, change your Community”, projekte të cilët në fokus kanë rininë dhe komunitetin e Lezhës. Aktualisht është anëtare dhe Sekretare e Përgjithshme e Këshillit Vendor Rinor pranë Bashkisë Lezhë dhe ka koordinuar një projekt të rëndësishëm të quajtur “Street art against hate speech”, që synon të ndikojë pozitivisht në të rinjtë për të minimizuar format e ndryshme të gjuhës së urrejtjes, bullizmit ndërmjet tyre dhe promovimin e solidaritetit. Ajo ka qenë aktive në trajnime, konferenca, workshop-e, dhe seminare studimore brenda dhe jashtë vendit. Përmes punës së saj dhe angazhimit të vullnetarëve, ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e rinisë dhe zhvillimit të komunitetit në Bashkinë Lezhë.                                                                      Vasilika Laska – CV

Vilson Shehu është diplomuar në Master Shkencor nga Universiteti i Tiranës me titull “Mësues i Gjuhës Angleze për Arsimin e Mesëm dhe të Lartë” dhe Master Shkencor në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”. Gjatë studimeve universitare është angazhuar si vullnetar pranë AIESEC Albania, ELTA Albania, ku ka qenë një nga mbështetësit dhe promovuesit për të dyja organizatat e asaj kohe. Pas përfundimit të studimeve i bashkohet intershipeve të AIESEC ku edhe kryen intershipin e parë në Rumani për të ndërmarrë projekte dhe programe lokale dhe kombëtare në shkollat verore. Së fundmi, ka mbajtur pozicionin e drejtorit ekzekutiv duke e përfshirë organizatën edhe në rrjete kombëtare me në fokus të rinjtë dhe edukimin. Vilsoni është pedagog dhe ndër të tjera është themeluesi i radios së vetme në Berat, “Youth Radio”. Aktualisht është iniciues i Qendrës “The Youth of Ura”. Gjatë eksperiencës profesionale ka lehtësuar procesin e ngritjes së Këshillit Rinor Vendor Dimal. Ai ka zhvilluar projekte në fusha si: fuqizimi i të rinjve, ngritja e kapaciteteve rinore, hapja e pushtetit vendor kundrejt zërit qytetar, mjedisi, përfshirja e të rinjve në shkëmbime rinore themelimi i SCOUT Albania për qarkun e Beratit etj. Eksperienca mbi 6 vjeçare në organizata rinore i ka mundësuar Vilsonit  të jetë një njohës i mirë i problematikave të të rinjve nga zonat rurale dhe nevojave reale të tyre. Ka marrë vlerësime të ndryshme nga organizata kombëtare dhe ndërkombëtare si dhe nga institucionet publike.                                                                               Vilson Shehu – CV 

Vjera Çurçija është një profesioniste me rreth 20 vite eksperiencë në fushën e valles, traditës, trashëgimisë dhe kulturës popullore. Studiuese Folklori dhe Etnologjie, prej vitit 2016 drejton me pasion Shoqatën “MEGAART”. Eksperienca e saj përfshin rolin si valltare, Soliste e Parë pranë Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, drejtuese dhe koreografe në aktivitete të ndryshme me perfshirje dhe fokus të rinjtë.  Vjera është konceptuese dhe zbatuese e disa aktiviteteve e projekteve të cilat synojnë të nxisin praktika të mira edukative tek të rinjtë dhe të ushqejnë dijen për historinë dhe trashegiminë tonë kulturore. 

Pas një eksperience të gjerë në organizimin dhe koordinimin e çdo hallke të një eventi, aktiviteti, projekti, hartimin e raporteve e çdo proces tjetër të koordinimit të një projekti, Vjera kandidon për të qenë pjesë dhe për të dhënë kontributin e saj tek te rinjtë.

Vjera Çurçija – CV 

Xhulian Kafexhiu ka lindur në  Krujë. Ka kryer studimet për Shkenca Politike dhe Master Shkencor për “Marrëdhënie me publikun dhe komunikim”. Prej 10 vitesh është i angazhuar dhe i motivuar ndaj të drejtave dhe interesave të rinisë, si dhe ka dëshirën e fortë për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit dhe të rinisë në vendin tonë.

Xhuljani kërkon mbështetje sepse të qenit pjesë e Këshillit Kombëtar të Rinisë është një mundësi e shkëlqyer për të ndikuar në politikat dhe programet që ndikojnë në jetën e rinisë në vendin tonë.

Kjo është një sfidë e bukur që Xhuliani ka marrë përsipër për të punuar duke paraqitur propozime dhe nisma, hartuar projekte. Xhuliani bazohet në energjinë e bukur rinore dhe për të zhvilluar aktiviteteve e politika konkrete që do të ndihmojnë rininë në zhvillimin e tyre dhe arritjen e potencialit të tyre maksimal nga Vermoshi në Konispol, por pa harruar edhe të rinjtë e Diasporës.

“Qeshu, rini! Qeshu! Bota asht e jotja!” Migjeni.                                             Xhulian Kafexhiu – CV

Kandidatët e Këshillave Studentor

Artela Roshi, është studente e vitit të katërt të Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin Epoka në Tiranë. Ajo ndihet e privilegjuar të përfaqësoj të gjithë trupën studentore si Presidente e Këshillit Rinor të universitetit. Artela ka qenë gjithnjë e tërhequr prej politikbërjes dhe fuqisë që ajo ka për të përmirësuar e (fatkeqësisht) për të shkatërruar cilësinë e jetës së secilit prej nesh. Ajo mendon se pasojat që sjell një zgjedhje e gabuar (sidomos një zgjedhje mbi politikën apo vendimmarrjen)  nuk shtrihen vetëm në të ardhmen e afërt, përkundrazi, ato janë me ne për breza të tërë. Artela ka dëshirë të bëhet pjesë e  KKR-së për të patur mundësinë që të ndihmoj dhe informoj të rinjtë mbi mundësitë dhe zgjedhjet. Ajo dëshiron të jetë pjesë e këtij Këshilli, sepse e ndien që mungon zëri i të rinjve në realitetin  shqiptar. Artela mendon se atë që mungon duhet ta krijojmë vetë.

Artela Roshi – CV

Elsa ka shumë dëshirë të bëhet pjesë e një ekipi ku inovacioni dhe energjia rinore do sjellin marrjen e disa vendimeve që do të konsiderohen edhe si një pikë kthese e fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm. Si një kandidate për anëtare e Këshillit Kombëtar të Rinisë, synon të jap një kontribut të frytshëm dhe të përkushtuar në promovimin e interesave të rinisë shqiptare. Misioni i saj është të ndihmoj në ndërtimin e një platforme të fuqishme për të rinjtë, ku ata mund të shprehin mendimet e tyre dhe të ndikojnë në proceset vendimmarrëse. Për të arritur këtë qëllim, do të përqendrohet në disa sfida kyçe. Së pari, në rritjen e ndërgjegjësimit të rinisë në lidhje me çështjet sociale, kulturore dhe politike që ndikojnë në jetën e tyre,  në përmirësimin e mundësive për trajnim për të rinjtë, duke promovuar një mjedis për zhvillimin e aftësive. Gjithashtu, do të ndikoj në bashkëpunimin dhe përfshirjen aktive të rinisë në zhvillimin e projekteve dhe politikave që i shërbejnë komunitetit tonë. Elsa do të krijojë një hapësirë për të rinjtë për të ndikuar në vendimmarrjet në nivel kombëtar. Studentët kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë individët më të fuqishëm të ndryshimit, ndaj ajo është e bindur se do të krijoj një bashkëpunim me impakt afatgjatë me studentët e tjerë. Kontributi i saj në Këshillin Kombëtar Rinor do të jetë një ndërmarrje e përkushtuar për të përfaqësuar dhe promovuar vizionin e rinisë shqiptare në rrugën e zhvillimit dhe përmirësimit të shoqërisë sonë.      Elsa Rrustaj – CV

Erik Sulaj është student i vitit të dytë, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Ai është zgjedhur anëtar përfaqësues i Këshillit Studentor në vitin e parë dhe aktualisht vazhdon të jetë pjesë e Këshillit Studentor. Problematikat e studentëve, takimet dhe veprimtaritë edhe me studentë të fakulteteve të tjera e kanë bërë Erikun të aftë të menaxhoj  problematikat në këtë  fushë. Ai është i gatshëm të ndihmoj me njohuritë dhe vullnetin që e karakterizon dhe prandaj zgjodhi të garoj për Këshillin Kombëtar Rinor.

Erik Sulaj – CV

Loreta Çermeli ka përfunduar ciklin e parë të studimeve Bachelor në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Ajo është e pasionuar për të kontribuar në rritjen dhe avancimin e shoqërisë sonë. Loreta mendon se studentët dhe të rinjtë kanë potencialin për të ndryshuar vendin tonë, duke ndjekur angazhimin dhe bashkëpunimin si vlera themelore. Për këtë arsye, ka vendosur të përdor aftësitë dhe energjinë e saj për të ndihmuar në zhvillimin dhe përfaqësimin e interesave të studentëve dhe të rinjve, duke qenë përfaqësuese e tyre në Këshillin Studentor të fakultetit ku studion si dhe anëtare e një komisioni të përhershëm që mbikëqyr mbarëvajtjen e veprimtarisë së USH-së dhe marrëdhëniet me studentët. Gjithashtu, Loreta është angazhuar si një e re debatuese dhe aktiviste rinore në shoqëritë civile. Si përfaqësuese e studentëve, misioni i saj kryesor është të ndërtoj një mjedis gjithëpërfshirës, ku çdo student/e dhe i ri/e re të ndihet i/e vlerësuar dhe i/e dëgjuar. Ajo synon të krijoj një lidhje të ngushtë mes komunitetit studentor dhe institucioneve, duke siguruar që shqetësimet, idetë dhe aspiratat e tyre të merren parasysh dhe të integrohen në politikat dhe iniciativat e ndryshme. Motoja e saj është “E ardhmja i përket atyre që besojnë në bukurinë e ëndrrave të tyre.” Me këtë parim në mendje, të ndërtojmë një të ardhme ku ëndrrat dhe synimet e studentëve dhe të rinjve nuk do të kenë kufizime, por do të kenë mundësi për të realizuar potencialin e tyre.                                    Loreta Çermeli – CV

Stelina Ndreu është aktualisht Kryetare e Këshillit Studentor në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës. Përveç drejtimit të trupit studentor gjatë dy viteve të fundit, gjatë kësaj kohe është angazhuar aktivisht në nisma dhe aktivitete që promovojnë interesat dhe mirëqenien e të rinjve. Rrugëtimi i Stelinës si Kryetare e Këshillit Studentor i ka dhënë njohuri të vlefshme për shqetësimet, aspiratat dhe sfidat me të cilat përballet sot rinia jonë. Ajo beson fort se përfaqësimi i të rinjve në organizma si KKR është i një rëndësie të madhe. KKR ofron një platformë të çmuar që zërat dhe perspektivat e të rinjve të dëgjohen dhe të pranohen, duke formuar politikat dhe vendimet që ndikojnë në brezin e ri. Stelina synon të sjell në KKR pasionin e saj për mbrojtjen e të rinjve, të lidershipit dhe përkushtimin e saj për të bërë një ndryshim në jetën e të rinjve. Ajo është e bindur se angazhimi i saj përputhet me qëllimet dhe vlerat e KKR dhe është në pritje për mundësinë e bashkëpunimit me individe të cilët ndajnë një vizion për një të ardhme më të ndritshme për rininë tonë.

Stelina Ndreu – CV

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë