Shëndeti mendor i të rinjve mbetet një prioritet që kërkon bashkëpunim, angazhim dhe veprim konkret.
Në kuadër të projektit HARMONY, Agjencia Kombëtare e Rinisë mori pjesë në takimin e tretë transnacional, të zhvilluar në Vilnius, Lituani, së bashku me partnerët evropianë. Në bashkëpunim me United Right Foundation, u prezantuan praktika të mira të autoriteteve publike për promovimin dhe mbrojtjen e shëndetit mendor të të rinjve.
Gjatë tri ditëve, aktivitetet u përqendruan në disa çështje kryesore:
Ecuria e projektit HARMONY, prioritetet për semestrin e ardhshëm dhe plani i propozuar i veprimit.
Vizita në Byronë e Shëndetit Publik të Vilniusit, ku u shkëmbyen praktika dhe përvoja mbi promovimin e shëndetit mendor, menaxhimin e stresit dhe qëndrueshmërinë psikologjike.
Vizita në Qendrën Republikane për Çrregullimet e Varësisë, për njohjen nga afër të praktikave të trajtimit ambulator të varësive te fëmijët dhe adoleshentët.
Shkëmbimi i përvojave në shkollën “Antakalnis”, me fokus parandalimin e përdorimit problematik të rrjeteve sociale dhe të dhunës.
Në kuadër të Ditës Botërore të Shëndetit Mendor, Agjencia Kombëtare e Rinisë thekson rëndësinë e ndërgjegjësimit, parandalimit dhe mbështetjes së të rinjve, duke nxitur krijimin e hapësirave të sigurta dhe gjithëpërfshirëse ku ata ndihen të dëgjuar, të vlerësuar dhe të mbështetur.
Kujdesi për shëndetin mendor është po aq i rëndësishëm sa kujdesi për shëndetin fizik. Përmes bashkëpunimit dhe angazhimit të përbashkët, mund të kontribuojmë në mirëqenien e të rinjve dhe në ndërtimin e një mjedisi ku secili prej tyre ka mundësinë të zhvillohet dhe të përmbushë potencialin e vet.











