Agjencia Kombëtare e Rinisë shpall thirrjen për krijimin e Këshillit Kombëtar Rinor, i cili do të jetë organ këshillimor që funksionon pranë Ministrit përgjegjës për Rininë. Ftohen të gjitha organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë si dhe këshillat studentorë, të paraqesin kandidaturat potenciale për të qenë anëtarë të KKR-së.
*Mirëpresim cdo aplikim deri më 28 Shkurt 2021 në adresën tonë email: info@rinia.gov.al me subjektin “Aplikim për anëtar të KKR”. Rikujtojmë se cdo aplikim që nuk përmbush kriteret e mëposhtme, nuk do të kualifikohet për fazën e mëtejshme.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 9, të ligjit nr. 75/2019, “Për Rininë”, të Kreut III të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 681, datë 02.09.2020 “Për mënyrën e krijimit, të organizimit e të funksionimit të Agjencisë Kombëtare të Rinisë (AKR)”, si dhe të vendimit nr. 969, datë 02.12.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve e të procedurave të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Rinisë, si dhe të mënyrës së organizimit e të funksionimit të tij”;
KKR përbëhet nga 16 anëtarë, nga të cilët të paktën, 5 (pesë) duhet përzgjidhen duke repsektuar kuotat gjinore të përcaktuara në pikën 2 të Vendimit 969, datë 02.12.2020 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve e të procedurave të zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Rinisë, si dhe të mënyrës së organizimit e të funksionimit të tij”, si më poshtë vijon;
a) Ministri përgjegjës për Rininë;
b) Titullari i AKR;
c) 2 (dy) përfaqësues nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore;
ç) 8 (tetë) përfaqësues nga organizatat rinore dhe/ose për të rinjtë;
d) 4 (katër) përfaqësues anëtarë të këshillave studentorë.
Vini re: Kandidati për anëtar i KKR-së, përfaqësues i organizatave rinore/ jo përfaqësues i organizatave rinore, duhet të plotësojë këto kritere:
- Të ketë dhënë kontribut / të ketë përvojë në fushën e rinisë të paktën 2 vitet e fundit, nëpërmjet projekteve me fokus rininë apo zhvillimit të nismave/aktiviteteve për promovimin e të rinjve;
- Të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë;
- Të mos ketë konflikt interesi në përmbushje të kërkesave dhe dispozitave ligjore.
*Nëse mendoni se plotësoni kriteret për të qenë pjesë e Këshillit Kombëtar Rinor, ju lutem bashkëngjisni në aplikimin tuaj dokumentat e mëposhtme:
1- Kandidati, përfaqësues i organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë duhet të ngarkojë:
- Kërkesën për aplikim
- Curriculum Vitae, CV
- Fotokopje të dokumentave që vërtetojnë CV-në
- Vërtetimin e gjëndjes gjyqësore ose vetëdeklarimin e saj
- Vetëdeklarim i konfliktit të interesit
2- Kandidati, jo përfaqësues i organizatave rinore duhet të ngarkojë:
- Kërkesën për aplikim
- Curriculum Vitae, CV
- Fotokopje të dokumentave që vërtetojnë CV-në
- Vërtetimin e gjëndjes gjyqësore ose vetëdeklarimin e saj
- Vetëdeklarim i konfliktit të interesit
- Letër motivimi