Workshop për ngritjen e kapaciteteve të Këshillave Vendorë Rinorë 22-24 Prill 2026, Berat, Shqipëri

Workshop-i për ngritjen e kapaciteteve të Këshillave Vendorë Rinorë (KVR) është një aktivitet dyditor që synon të forcojë kapacitetet e 16 anëtarëve të KVR-ve në fusha kyçe si: pjesëmarrja rinore, angazhimi në komunitet, strategjitë e advokimit dhe agjenda Rinia, Paqja dhe Siguria (YPS).

Në përputhje me Ligjin për Rininë, çdo bashki në Shqipëri ka ngritur një Këshill Vendor Rinor si organ këshillues pranë kryetarit të bashkisë. Deri më sot, janë themeluar 61 KVR në të gjithë vendin. Ndryshimet e fundit ligjore kanë forcuar rolin e të rinjve në këto struktura, duke vendosur një mekanizëm bashkë-drejtimi midis kryetarit të bashkisë dhe një të riu, anëtar i KVR-së, si dhe duke rregulluar numrin e anëtarëve të KVR-së në mënyrë proporcionale me anëtarët e këshillit bashkiak.

Duke marrë në konsideratë që këto struktura janë ende të reja dhe kanë nevojë për rritje kapacitetesh, Zyra Lokale e RYCO-s në Shqipëri, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri dhe Agjencia Kombëtare e Rinisë janë bashkuar për të mbështetur fuqizimin e tyre. Temat e përzgjedhura janë në përputhje me rolin dhe nevojat e pjesëmarrësve dhe kanë për qëllim forcimin e angazhimit të tyre brenda KVR-ve. Workshop-i do të realizohet përmes metodave të edukimit joformal dhe do të përfshijë raste studimore praktike, të cilat mund të zbatohen lehtësisht në aktivitetet e përditshme të këshillave.

Organizatorët synojnë të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e KVR-ve dhe do të zhvillojnë një takim online në tremujorin e fundit të vitit 2026 për të reflektuar mbi angazhimin e tyre në temat e trajtuara, për të ndjekur progresin dhe për të ndarë mundësi të mëtejshme bashkëpunimi dhe përfshirjeje.

Nëse je anëtar/e i/e një KVR-je dhe plotëson kushtet si më poshtë, je i/e ftuar të aplikosh nëpërmjet këtij LINKU.

Pjesëmarrësit do të përzgjidhen nga organizatorët, duke u bazuar tek kriteret e aplikimit të mëposhtme:

  1. Të jenë të moshës 18-29 vjeç;
  2. Të jenë anëtarë të një KVR-je në një prej qarqeve: Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korcë, Gjirokaster, Vlorë, duke përfshirë bashkitë si më poshtë: Kuçovë, Skrapar, Ura Vajgurore, Belsh, Cërrik, Gramsh, Librazhd, Prrenjas, Divjakë, Lushnjë, Mallakastër, Patos, Memaliaj, Përmet, Tepelenë, Devoll, Kolonjë, Pogradec, Pustec, Delvinë, Finiq, Himare, Sarandë etj.
  3. Të jenë të motivuar për të kontribuar në zhvillimin e komunitetit përmes pjesëmarrjes aktive në KVR dhe të kenë dëshmuar angazhim konkret në iniciativa rinore;
  4. Të jenë të gatshëm të marrin pjesë gjatë gjithë periudhës së workshop-it si dhe në një takim ndjekës online në fund të vitit 2026.

Ky workshop synon të mbështesë anëtarët e Këshillave Vendore Rinore nga bashkitë e jugut të vendit dhe secili pjesëmarrës do të marrë një certifikatë pjesëmarrjeje në përfundim të workshop-it.

Eventi do të organizohet nga data 22 deri më 24 Prill 2026, në Berat, Shqipëri.

Link: “Formë Regjistrimi – Workshop për ngritjen e Kapaciteteve të Këshillave Vendorë Rinorë”: https://forms.cloud.microsoft/Pages/ResponsePage.aspx?id=V0RQwZgbLk-h7GKA7M6qhGuj6OEHGPpAmIR4O0TY25NUOERZTElSSURSOE1NWllSOFRaWTZUVlE5Sy4u

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë