Prezantimi i Vizionit të Ri të Agjencisë Kombëtare të Rinisë

Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) organizoi një aktivitet të posaçëm prezantues, ku u bë publike qasja dhe vizioni i ri i institucionit, nën drejtimin e drejtoreshës së re, znj. Sara Bodo.
 
Ky event shënon një hap të rëndësishëm në orientimin strategjik të AKR-së, tashmë në varësinë e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, drejtuar nga z. Blendi Gonxhja.
 
Në përputhje me prioritetet e Ministrisë dhe objektivat e Strategjisë Kombëtare për Rininë (SKR), ky takim kishte për qëllim të vendoste bazat për një bashkëpunim më të fortë dhe të qëndrueshëm me aktorët që kontribuojnë në zhvillimin dhe përfshirjen e të rinjve në jetën sociale, kulturore dhe institucionale të vendit.
 
Fokusi i mbrëmjes ishte gjithashtu nxitja e dialogut dhe ndërveprimit me organizatat partnere fituese të Thirrjes Publike Nr. V. Këto partneritete synojnë të krijojnë ndikim konkret në terren, përmes projekteve që fuqizojnë të rinjtë dhe përmirësojnë komunikimin publik mbi çështjet që i prekin ata drejtpërdrejt.
 
Të pranishmit në këtë event, mes të cilëve përfaqësues nga Delegacioni Europian në Shqipëri, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, bashkive dhe institucioneve të tjera partnere, patën mundësinë të socializohen, të ndajnë ide dhe të ngrenë ura të reja bashkëpunimi në një atmosferë të hapur dhe konstruktive.
 
Ky takim përfaqëson vetëm fillimin e një etape të re për Agjencinë Kombëtare të Rinisë, një etapë që synon më shumë bashkëpunim, më shumë përfshirje dhe më shumë ndikim për të rinjtë shqiptarë.

 Momente nga socializimi i të ftuarve në mbrëmjen e prezantimit të Vizionit të Ri të AKR-së.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë