Prezantimi i projekt buxhetit për vitin 2025

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e informimit publik si dhe në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, për projekt-buxhetin e vitit të ardhshëm, u prezantua një buxhet që nuk është thjesht një shumësi shifrash, por një tërësi mundësish më tepër për të rinjtë. Plot 54% më i lartë krahasuar me një vit më parë, ky buxhet garanton mbështetje të qëndrueshme për politikat tona rinore dhe investimet në disa qytete të vendit për mjedise ku të rinjtë tanë të zhvillojnë aftësitë e tyre.

Mbështetja për rininë është 54% më e lartë se buxheti aktual dhe ka në fokus:
• Mbështetjen për të rinjtë përmes organizatave rinore dhe për të rinjtë, në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare të Rinisë,
• Investime në infrastrukturë rinore,
• Edukimin joformal që kontribuon në zhvillimin e aftësive dhe përgatitjen profesionale të të rinjve,
• Iniciativa për fuqizimin e të rinjve, përmes trajnimeve dhe mundësive për angazhim aktiv në shoqëri dhe në ekonominë e vendit,
• Mbështetja e të rinjve të talentuar në konkurse, shfaqje, olimpiada jashtë vendit, në mënyrë që kostot e pjesëmarrjes të mos bëhen barrë për familjet e tyre apo të mos frenojnë pjesëmarrjen e këtyre talenteve në përfaqësimin dinjitoz të vendit,
• Programi i nismave komunituare, e cila parashikohet tu ofrojë mbështetje projekt-ideve të vogla që vijnë nga të rinjtë apo anëtarët e KVR-ve, sipas zonave të tyre ku jetojnë
• Programin e praktikave profesionale për të rinjtë, që krijon mundësi për zhvillim të aftësive dhe integrim në tregun e punës,
• Aktivitete jashtë orarit mësimor, që ofrojnë mundësi për zhvillim shoqëror dhe personal të të rinjve,
• Nisma për zhvillimin e aftësive të kodimit dhe edukimin financiar, për të përgatitur të rinjtë për sfidat e ekonomisë digjitale dhe për t’i mundësuar ata të menaxhojnë burimet financiare në mënyrë të përgjegjshme.

Përvec këtyre fondeve, ne kemi siguruar dhe një mbështetje të shtuar nga donatorë të ndryshëm.

Kjo mbështetje e shtuar financiare dhe institucionale në sektorin e rinisë pasqyron një vëmendje të konsiderueshme për zhvillimin e politikave rinore, duke ofruar mundësi konkrete për fuqizimin dhe integrimin e të rinjve në Shqipëri dhe duke krijuar mundësi për zhvillim profesional, arsimor dhe shoqëror.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë