Kjo javë shënoi një dinamikë të re për Agjencinë Kombëtare të Rinisë (AKR), me takime të frytshme që hapin perspektiva të reja bashkëpunimi në mbështetje të rinisë shqiptare.
Drejtoresha e AKR-së, znj. Sara Bodo, zhvilloi një sërë takimesh me partnerë ndërkombëtarë, duke vendosur në qendër projekte që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe orientimin e tyre drejt mundësive reale në vend.
Me British Council u diskutua mbi programin “Alternative Pathways”, i cili ka në fokus fuqizimin e të rinjve përmes medias, angazhimit në komunitet dhe rritjes së ndërgjegjësimit mbi rreziqet e migrimit të parregullt. Ky është një hap i rëndësishëm drejt krijimit të rrugëve të sigurta dhe të qëndrueshme për të ardhmen e tyre.
Me UNFPA dhe UNDP Shqipëri, u hodhën themelet e një bashkëpunimi të ri në kuadër të nismës rajonale “Rinia për Përfshirje, Barazi dhe Besim”, në mbështetje të Agjendës së OKB-së për Rininë, Paqen dhe Sigurinë. Një vëmendje e veçantë iu kushtua përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse lokale, me fokus në bashkitë Kamëz dhe Elbasan.
Këto zhvillime tregojnë qartë përkushtimin e AKR-së dhe partnerëve ndërkombëtarë për të punuar së bashku drejt një të ardhmeje më të sigurt, gjithëpërfshirëse dhe europiane për rininë shqiptare.


