Lançohen Manuali dhe Udhëzuesi për Ngritjen dhe Funksionimin e Këshillave Vendorë të Rinisë

Agjencia Kombëtare e Rinisë, në bashkëpunim me World Vision Albania, partner strategjik dhe afatgjatë, lançoi dy dokumente kyçe për forcimin e politikave rinore në Shqipëri: Manualin dhe Udhëzuesin për Ngritjen dhe Funksionimin e Këshillave Vendorë të Rinisë (KVR).

Këto dokumente janë hartuar në përputhje me Strategjinë e Bashkimit Evropian për Rininë 2019–2027, reflektojnë ndryshimet më të fundit të Ligjit “Për Rininë”, si dhe janë plotësisht të harmonizuara me Strategjinë Kombëtare të Rinisë dhe Planin e Veprimit 2022–2029.

Manuali dhe udhëzuesi synojnë të shërbejnë si mjete praktike për forcimin e pjesëmarrjes aktive të të rinjve, rritjen e qeverisjes demokratike dhe promovimin e parimeve të Shtetit të së Drejtës, me fokus të veçantë në nivelin vendor.

Aktiviteti i lançimit u përqendrua në fuqizimin e Këshillave Vendorë të Rinisë si mekanizma formalë të përfaqësimit, konsultimit dhe angazhimit të të rinjve në proceset vendimmarrëse, në përputhje me vlerat e Bashkimit Evropian dhe kërkesat e procesit të anëtarësimit.

Bashkëpunimi ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe World Vision Albania mbetet një shembull i besimit, përkushtimit dhe vizionit të përbashkët për ndërtimin e politikave rinore të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të orientuara drejt së ardhmes.

Rinia është zëri i sotëm dhe forca e së nesërmes.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë