Në një event të dedikuar u lançua me sukses projekti HARMONY, një nismë europiane që vendos në qendër shëndetin mendor të të rinjve dhe fuqinë e bashkëpunimit ndërinstitucional si bazë për politika dhe veprime të qëndrueshme.
Takimi mblodhi partnerë institucionalë, përfaqësues të organizatave dhe të rinj, të cilët shprehën interes dhe gatishmëri për t’u angazhuar aktivisht në këtë rrugëtim të përbashkët, duke kontribuar me ide, përvoja dhe vizion për të ardhmen.
Projekti HARMONY vjen në një moment kyç për politikat rinore, duke iu përgjigjur një prej sfidave më urgjente të shoqërisë sonë: mirëqenies mendore të të rinjve. Pas statistikave qëndrojnë histori reale, ndaj kjo nismë synon jo vetëm trajtimin, por edhe parandalimin, zbulimin e hershëm të vështirësive dhe ndërtimin e komuniteteve mbështetëse.
Agjencia Kombëtare e Rinisë është krenare të jetë një nga 9 partnerët zyrtarë europianë të projektit HARMONY, duke shërbyer si një urë lidhëse mes politikëbërjes, zbatimit në terren dhe zërit të të rinjve.
Ky është hapi i parë i një angazhimi afatgjatë. Së bashku, për një të ardhme me më shumë mirëqenie, kujdes dhe shpresë për të rinjtë.













