“Trashëgimia dje, sot dhe nesër”
Parku Arkeologjik i Apolonisë ishte ndalesa e parë në ditën e dytë që vizituan të rinjtë nga Shqipëria dhe Kosova në kuadër të programit të shkëmbimit rinor.
Përmes kësaj vizite, ata mundën të prekin lashtësinë e Apolonisë së gurtë, e cila ofron jo vetëm antikitet dhe trashëgimi arkeologjike, por dhe natyrë të qetë dhe tërheqëse.
Disa nga objektet arkeologjike dhe statujat që kanë mundur të ruhen, muzeu, i ndodhur brenda Manastirit, kisha bizantine, monumentet e ndryshme, muri rrethues dhe jo vetëm, janë dëshmitë historike të këtij parku arkeologjik unik dhe me vlera të veçanta.
Një tjetër pasuri kulturore siç është Kalaja e Bashtovës, ishte ndalesa e dytë e grupit rinor.
E konsideruar edhe si kështjellë, kjo fortesë e rrallë është e vetmja në Ballkan që është ndërtuar në fushë.
Me një panoramë natyrore të mrekullueshme, me rrethinat e kalasë ende të plota, ky monument kulture dëshmon për gjurmët e qytetërimit dhe civilizimit.









