Konferenca “Java Globale e Parasë 2024”

Rinia dhe institucionet bashkëbisedojnë gjatë Javës Globale e Parasë 2024.

Konferenca “Global Money Week 2024” bëri së bashku të gjithë ekosistemin e angazhuar direkt apo indirekt me edukimin financiar të të rinjve, për të diskutuar mënyrat më efektive të përcjelljes së dijes dhe njohurive financiare te të rinjtë.

Pas një prezantimi nga Visa dhe Aflatoun mbi programet që ata ofrojnë për edukimin financiar, u zhvillua një panel me të rinjtë, pjesë e programeve të ndryshme të edukimit financiar, të cilët na treguan mbi kërkesat dhe dëshirat e tyre për edukimin financiar.

Pasi u shënuan kërkesat dhe inputet e të rinjve u zhvillua paneli i parë me institucionet kryesore të përfshira në fushën e ekonomisë dhe financave, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave. Falenderojmë Z. Mete, Z. Sejko, Z. Shalsi, Znj. Bilali që ndanë eksperiencën dhe mendimet e tyre mbi edukimin financiar dhe ndërveprimin me të rinjtë.

Paneli i dytë me temë për zgjidhjet më të mira për edukimin financiar me të ftuar Z. Endrit Yzeiraj, Zëvendës Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Z. Altin Tanku, Drejtor i Departamentit të Kërkimeve, Banka e Shqipërisë; Znj. Adriana Ristani, Drejtore e edukimit financiar dhe projekteve pranë AMF; Z. Genc Mamani, Drejtor Ekzekutiv pranë Agjencisë së Sigurimit të Depozitave; Z. Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave; dhe Z. Astrit Dauti, Përgjegjës për Sektorin e Zhvillimit të Kurikulës pranë ASCAP, të rinjtë u informuan më shumë si të qasen pozitivisht ndaj parasë, kursimeve me fokus investimeve dhe mënyrave efikase për një planifikim të sigurt financiar në të ardhmen.

Pjesë e edukimit financiar për të rinjtë u bënë edhe aktorë nga bizneset dhe shoqëria civile, që ndanë me të rinjtë eksperiencën dhe mënyra efikase në menaxhimin e parasë, përfshirë programe që zbatohen aktualisht në universitete dhe shkolla si Junior Achievement mbështetur nga AADF. Më tej, ndanë edhe njohuritë mbi mikrokreditë dhe kreditë e buta si mundësi që mund të ndihmojnë të rinjtë në momente të caktuara të jetës.

Gjithashtu u mbajtë dhe një konferencë me në fokus metodat më të mira të integrimit të edukimit financiar në nivel kombëtar, ku Aflatoun u ndal në eksperienca të mira brenda vendit, por edhe jashtë vendit me fokus në edukimin financiar të moshave të ndryshme.

Teksa u ndalën në kurikulat specifike që implementohen në vende të ndryshme të botës falë Aflatoun, u diskutua edhe mbi mundësinë e implementimit të këtyre kurikulave në Shqipëri.

Edukimi financiar i të rinjve është një nga prioritetet tona. Për këtë arsye, angazhimi ynë në këtë fushë shënon përkushtimin tonë për të ndihmuar në zhvillimin e një kulture financiare të fortë dhe të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.

Kjo konferencë u organizua nga Ministri i Shtetit për Rininë dhe Fëmijët me mbështetjen e Visa dhe Aflatoun.

sqShqip
Agjencia Kombëtare e Rinisë