Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) mori pjesë në Takimin e Dytë Transnacional të projektit HARMONY, i zhvilluar në Normandy, Francë, në kuadër të programit Interreg Europe. AKR është një nga nëntë partnerët zyrtarë të këtij projekti, i cili synon të fuqizojë programet dhe politikat që lidhen me shëndetin mendor të të rinjve.
Në këtë takim morën pjesë Drejtoresha e Përgjithshme e AKR-së, znj. Sara Bodo, si dhe Drejtoresha e Qendrës së Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, znj. Klaudia Hasanllari, të cilat diskutuan mbi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në mbështetje të të rinjve dhe në krijimin e mekanizmave efektivë për fuqizimin e tyre.
Gjatë diskutimeve u vlerësua veçanërisht qasja rehabilituese dhe riintegruese e parashikuar nga Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur, e cila u konsiderua si një praktikë e mirë për parandalimin e traumës dhe pasojave psikologjike që mund të shkaktojë përfshirja e të rinjve në sistemin penal.
Të dhënat e studimeve tregojnë se rreth 16–17% e adoleshentëve në Europë përballen me sfida të shëndetit mendor, ndërsa kjo përqindje është dukshëm më e lartë tek të rinjtë në sistemin penal, ku mbi 60% përjetojnë çrregullime të sjelljes ose probleme si ankthi, depresioni dhe ADHD.
Në këtë kontekst, partnerët e projektit theksuan rëndësinë e një qasjeje të bazuar në rehabilitim, riintegrim dhe drejtësi sociale, të mbështetur nga një bashkëpunim i fortë ndërinstitucional, si një mënyrë thelbësore për të parandaluar rikthimin në krim dhe për të krijuar më shumë mundësi për zhvillimin dhe mirëqenien e të rinjve.
Gjithëpërfshirja mbetet çelësi për ndërtimin e një sistemi më mbështetës dhe më të drejtë për të rinjtë.






