Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) zhvilloi në Berat një aktivitet me të rinjtë, anëtarët e Këshillit Vendor të Rinisë dhe përfaqësues të institucioneve lokale, ku u prezantuan Manuali dhe Udhëzuesi për Ngritjen dhe Funksionimin e Këshillave Vendorë të Rinisë (KVR).
Këto dokumente të rëndësishme për zhvillimin e politikave rinore dhe fuqizimin e të rinjve janë hartuar nga World Vision Albania në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Rinisë, në përputhje me Strategjinë e BE-së për Rininë 2019–2027. Ato pasqyrojnë ndryshimet më të fundit të Ligjit “Për Rininë” dhe janë plotësisht të harmonizuara me Strategjinë Kombëtare të Rinisë dhe Planin e Veprimit 2022–2029.
Gjatë trajnimit, të rinjtë e Beratit u njohën me rolin që Manuali dhe Udhëzuesi kanë si mjete praktike për forcimin e pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje, përmirësimin e qeverisjes demokratike dhe promovimin e parimeve të Shtetit të së Drejtës, veçanërisht në nivel vendor.


