Agjencia Kombëtare e Rinisë ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Shoqërinë “Rezidenca Studentore Universitare”, duke shënuar një hap të ri dhe të rëndësishëm drejt fuqizimit të jetës studentore dhe rinore në vend.
Kjo marrëveshje synon të krijojë një kornizë të qëndrueshme bashkëpunimi për zhvillimin e iniciativave të përbashkëta, të fokusuara në përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, rritjen e përfshirjes së tyre në proceset vendimmarrëse, si dhe ndërtimin e mekanizmave efektivë për hartimin dhe zbatimin e politikave rinore.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u zhvillua edhe një vizitë në ambientet e rikonstruktuara të rezidencës studentore, ku u prezantuan hapësira moderne, dinjitoze dhe të përshtatura për nevojat e studentëve të sotëm. Investimet e realizuara dëshmojnë angazhimin konkret për krijimin e një mjedisi më të sigurt, më frymëzues dhe më mbështetës për të rinjtë.
Agjencia Kombëtare e Rinisë mbetet e përkushtuar për të forcuar partneritetet institucionale dhe për të garantuar më shumë mundësi, më shumë zë dhe më shumë mbështetje për çdo student, duke kontribuar në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të rinjtë shqiptarë.





