Agjencia Kombëtare e Rinisë vijon të promovojë dhe mbështesë të rinjtë, të cilët me talentin, përkushtimin dhe punën e tyre, bëhen shembull frymëzimi për të gjithë.
Për muajin Qershor, Enkileda Carja është përzgjedhur “E Reja e Muajit”, si vlerësim për arritjet e saj të jashtëzakonshme në arenën ndërkombëtare.
Edhe pse në një moshë të re, ajo numëron medalje të rëndësishme botërore dhe evropiane, si dhe trofe të fituar pas thyerjes së rekordeve, duke u shndërruar në një nga sportistet më premtuese shqiptare.
Drejtoresha e AKR- së, znj. Sara Bodo, pati kënaqësinë ta mirëpriste Enkileda Carjën në ambientet e Agjencisë, duke vlerësuar rrugëtimin e saj si dëshmi se përkushtimi, disiplina dhe puna e palodhur shpërblehen gjithmonë me sukses.
Si Kampione e Evropës për të reja në peshëngritje dhe jo vetëm, Enkileda ka dëshmuar talent të jashtëzakonshëm dhe një angazhim të admirueshëm, duke ngritur lart flamurin shqiptar në arenat ndërkombëtare.
AKR vazhdon të mbështesë talentet e reja, nëse ke pasion dhe përkushtim, dyert tona janë gjithmonë të hapura për ty!


