Kandidatë, përfaqësues të organizatave rinore dhe/ose për të rinjtë për anëtar
Në datat 7 Janar deri më 16 Janar 2026 do të jetë i hapur procesi i votimit nga organizatat jofitimprurëse rinore dhe/ose për të rinjtë për kandidatët e KKR.
Votimi do të kryhet në emailin zyrtar të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, pra info@rinia.gov.al.
Parimi i votimit është: një organizatë – një votë.
Organizatat jofitimprurëse që do të votojnë duhet të dorëzojnë dokumentacionin e më poshtëm:
– Vendimi i regjistrimit në gjykatë;
– Statuti i organizatës;
– NIPT-i;
– Vërtetimi lidhur me statusin aktiv/pasiv (i shkarkuar nga shërbimi www.e-albania.al me datë dokumenti jo më të hershme se 1 Nëntor 2025).
Brixhilda Deda është një profesioniste e angazhuar në fushën e rinisë dhe prej tre vitesh pjesë e stafit të qëndrueshëm të Organizatës LIBURNETIK, ku kontribuon në Departamentin e Burimeve Njerëzore, në proceset e zhvillimit organizativ dhe menaxhimit të kapitalit njerëzor. Angazhimi i saj profesional bazohet në bindjen se politikat rinore duhet të ndërtohen mbi nevojat reale të të rinjve dhe të përkthehen në masa konkrete, të matshme dhe të qëndrueshme.
Përvoja e saj në koordinimin dhe mbështetjen e projekteve zhvillimore, si dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me institucione publike dhe organizata të shoqërisë civile, i kanë dhënë një kuptim të qartë të sfidave strukturore që përballon rinia sot dhe të boshllëqeve që shpesh ekzistojnë mes politikëbërjes dhe zbatimit praktik. Ajo beson se mekanizmat këshillimorë rinorë duhet të jenë funksionalë dhe me ndikim real, jo thjesht formalë.
Në kuadër të Këshillit Kombëtar të Rinisë (KKR), Brixhilda synon të kontribuojë në forcimin e dialogut mes të rinjve dhe institucioneve, rritjen e transparencës dhe përmirësimin e cilësisë së politikave rinore, duke promovuar një përfaqësim të përgjegjshëm dhe gjithëpërfshirës.
Ajo ka përfunduar studimet Bachelor në Administrim të Politikave Sociale dhe Master në Komunikim për Ndryshimin e Sjelljes Sociale.
Brus Hysenlikaj zotëron një profil të konsoliduar në lidershipin rinor dhe angazhimin qytetar, me fokus në përfaqësimin e interesave të të rinjve në nivel vendor dhe kombëtar. Që prej vitit 2022 është angazhuar si aktivist rinor, ndërsa në vitin 2023 u zgjodh anëtar dhe Kryetar i Këshillit Vendor Rinor në Bashkinë Mat. Në këtë rol, ka udhëhequr dhe koordinuar nisma sociale, kulturore dhe edukative, duke ndërtuar bashkëpunime me komunitetin lokal dhe aktorë të tjerë institucionalë.
Angazhimi i tij është mbështetur në mënyrë të vazhdueshme nga organizata Vizion OJF, e cila ka kontribuar në fuqizimin e kapaciteteve të tij si lider i ri përmes projekteve që synojnë zhvillimin e aftësive dhe rritjen e pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse. Përvoja e tij përfshin zbatimin e projekteve me ndikim konkret, si modernizimi i laboratorëve shkencorë, iniciativa në fushën e shëndetësisë, si dhe udhëheqjen e veprimtarive vullnetare me fokus mbrojtjen e mjedisit dhe ndihmën sociale për shtresat në nevojë.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë në përfaqësimin e zërit të të rinjve, duke sjellë ide të reja dhe duke mbështetur politika që promovojnë një të ardhme më gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për rininë shqiptare.
Dashnor Veizaj është student në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin Europian të Tiranës. Angazhimi i tij qytetar dhe rinor ka nisur që në klasën e gjashtë, përmes përfshirjes aktive në organizata jofitimprurëse dhe nisma të shoqërisë civile, duke ndërtuar herët një profil të qëndrueshëm përfaqësimi dhe përgjegjësie publike.
Ai është themelues i Parlamentit të Nxënësve të Shqipërisë, një nismë që synon fuqizimin e zërit të nxënësve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset demokratike. Në vijim të këtij angazhimi, Dasho ka qenë një nga iniciatorët e ngritjes së Këshillave Vendorë Rinorë, duke kontribuar në krijimin e mekanizmave ku të rinjtë janë aktorë aktivë në vendimmarrjen vendore.
Në aspektin akademik, ai është i certifikuar nga Harvard University, ku ka përfunduar me sukses kursin “U.S. Political Institutions: Congress, Presidency, Courts, and Bureaucracy”, i ofruar nga Harvard Kennedy School, duke forcuar njohuritë e tij mbi institucionet politike, qeverisjen dhe ndarjen e pushteteve.
Dashnor Veizaj është anëtar i organizatës rinore “Epoka e Re”, ku vazhdon të angazhohet në nisma që synojnë fuqizimin e rinisë, ndërtimin e kapaciteteve dhe promovimin e vlerave qytetare, kombëtare dhe demokratike.
Enia Hoxha është aktiviste për mbrojtjen e të drejtave dhe kauzave të të rinjve, me mbi dhjetë vite angazhim në organizata rinore dhe nisma të shoqërisë civile në nivel lokal, kombëtar dhe europian. Është e diplomuar në shkencat politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare dhe i përdor njohuritë akademike për të nxitur pjesëmarrjen aktive të të rinjve dhe ndryshimin shoqëror.
Ajo ka përvojë të konsoliduar në advokacinë për të drejtat e të rinjve, pjesëmarrjen qytetare dhe integrimin europian, përfshirë përfaqësimin e të rinjve shqiptarë në forume ndërkombëtare si Forumi Rinor Europian, Forumi Rinor i Ballkanit Perëndimor dhe Konferencat Rinore Europiane në kuadër të Dialogut Rinor. Gjithashtu ka qenë e përfshirë në procese konsultuese për politikat publike për rininë.
Aktualisht angazhohet në koordinimin e projekteve për fuqizimin e të rinjve pranë Kongresit Rinor Kombëtar, me fokus zhvillimin e aftësive drejtuese dhe rritjen e përfshirjes në vendimmarrje.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë në forcimin e rolit përfaqësues të KKR-së, ndërtimin e dialogut të qëndrueshëm mes të rinjve dhe institucioneve dhe hartimin e politikave rinore të bazuara në fakte, me fokus pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse, barazinë gjinore dhe integrimin europian.
Ilejda Cenaliu është studente e Fakultetit të Drejtësisë dhe anëtare e ELSA, me angazhim aktiv në çështje që lidhen drejtpërdrejt me të rinjtë dhe përfaqësimin e tyre. Përmes përfshirjes në organizata rinore, ajo ka kontribuar në iniciativa që synojnë informimin, fuqizimin dhe përfaqësimin real të të rinjve, duke e konsideruar rininë si aktor aktiv dhe jo si spektator në proceset shoqërore.
Formimi i saj juridik i ka mundësuar të kuptojë se mungesa e përfshirjes së të rinjve në proceset vendimmarrëse shpesh lidhet me mungesën e mekanizmave funksionalë dhe të përfaqësimit të strukturuar. Bazuar në këtë përvojë, synon të kontribuojë në përmirësimin e mënyrës se si zëri i të rinjve dëgjohet, përkthehet dhe reflektohet në vendime konkrete.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të sjellë një qasje bashkëpunuese mes organizatave rinore dhe institucioneve, të mbështesë nisma që burojnë nga realiteti i përditshëm i të rinjve dhe të kontribuojë në ndërtimin e politikave rinore që zhvillohen me të rinjtë dhe jo për ta. Qëllimi i saj është që rinia të jetë një forcë aktive në vendimmarrje dhe zhvillimin komunitar.
Klajdi Pirja është student i Inxhinierisë Agrare, profili Mbrojtje Bimësh, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ai ka një angazhim të vazhdueshëm në jetën rinore dhe komunitare, duke marrë pjesë në programe formuese për lidership, avokim, lobim dhe hartim projektesh. Një pjesë e rëndësishme e zhvillimit të tij rinor lidhet me bashkëpunimin me organizatën New Bridges, në kuadër të projekteve si “Të rinjtë të fuqizuar, zë aktiv në shkollë dhe komunitet”, trajnimi mbi “Angazhimin Rinor, Vullnetarizmin dhe Ligjin e Rinisë”, si dhe programet për “Avokim dhe Lobim” dhe “Shkrimin e mini-projekteve”. Klajdi ka qenë gjithashtu anëtar i Këshillit Vendor Rinor Kuçovë dhe Sekretar i Bordit Drejtues të Qendrës Rinore Kuçovë, duke kontribuar në organizimin dhe mbështetjen e nismave me ndikim në komunitet.
Si anëtar i mundshëm i Këshillit Kombëtar Rinor, ai synon të sjellë një zë përfaqësues për të rinjtë, veçanërisht ata në zonat rurale, duke promovuar politika rinore gjithëpërfshirëse, arsim cilësor, orientim profesional dhe zhvillim të qëndrueshëm shoqëror. Klajdi beson në fuqinë e rinisë si faktor pozitiv ndryshimi dhe synon të kontribuojë në krijimin e hapësirave reale të pjesëmarrjes së tyre.
Klajdi Tozaj është një aktivist i angazhuar në fushën e rinisë, me përvojë në nisma kombëtare dhe ndërkombëtare që synojnë fuqizimin e të rinjve dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre qytetare. Ai ka kontribuar në projekte dhe programe rinore që promovojnë edukimin joformal, dialogun rinor, pjesëmarrjen demokratike dhe aktivizmin qytetar, përfshirë iniciativa në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar. Angazhimi i tij ka qenë i fokusuar në ndërtimin e kapaciteteve të të rinjve, nxitjen e përfshirjes aktive në shoqëri dhe krijimin e hapësirave ku zëri i të rinjve dëgjohet dhe merret në konsideratë.
Në vijim të angazhimit të tij në fushën e rinisë, ai synon të kontribuojë në forcimin e parimit të mundësive të barabarta për të gjithë të rinjtë, duke mbështetur politika dhe iniciativa që promovojnë përfshirjen, barazinë dhe aksesin e drejtë në mundësi zhvillimi. Fokus i veçantë do t’i kushtohet adresimit të pabarazive sociale, ekonomike dhe gjeografike, si dhe krijimit të kushteve që u mundësojnë të rinjve të kontribuojnë në mënyrë të barabartë në jetën shoqërore dhe qytetare.
Regi Vaçi ka përfunduar studimet Bachelor në fushën e Teknikës së Laboratorit dhe aktualisht ndjek studimet Master Shkencor në të njëjtën fushë. Angazhimi i tij në shoqërinë civile ka nisur në vitin 2019 dhe ka vijuar në mënyrë të pandërprerë, përmes aktivizmit dhe vullnetarizmit në nivel lokal.
Ai ka qenë ndër anëtarët e parë të Këshillit Vendor Rinor Mat për periudhën 2021–2023, një mandat i përmbyllur me sukses, gjatë të cilit ka përfaqësuar zërin e të rinjve të zonës pranë institucioneve, ka kontribuar në zbatimin e projekteve në interes të të rinjve dhe në lobimin për krijimin e një Qendre Rinore, e cila sot është funksionale. Përgjatë këtij rrugëtimi ka bashkëpunuar me aktorë të ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë, si dhe ka marrë pjesë në vizita dhe shkëmbime përvojash, përfshirë edhe vizitën në Parlamentin Europian në Bruksel.
Angazhimi i tij fokusohet në kauza si të drejtat e njeriut, lufta kundër gjuhës së urrejtjes, diskriminimit dhe bullizmit. Prej vitit 2022 është i angazhuar pranë Qendrës Rinore Perspektiva.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë me ide konkrete dhe qasje inovative, me fokus përfaqësimin e interesave të të rinjve, forcimin e bashkëpunimit institucional dhe zhvillimin e politikave që krijojnë mundësi reale për pjesëmarrje, zhvillim dhe punësim.
Kandidatët e Këshillave Studentorë për
Në datat 7 Janar deri më 16 Janar 2026 do të jetë i hapur procesi i votimit nga studentët e universiteteve për kandidatët e KKR.
Votimi do të kryhet në faqen zyrtare online të Agjencisë Kombëtare të Rinisë https://rinia.gov.al/ përmes një Google Form.
Studentët duhet të plotësojnë Google Form përmes adresës zyrtare të universiteteve (emer.mbiemer@fakulteti.edu.al).
Andi Gafko është student i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe aktivist rinor me disa vite përvojë, me interes të veçantë për çështjet e rinisë, vullnetarizmin dhe pjesëmarrjen rinore. Aktualisht është anëtar i Këshillit Studentor të Universitetit Epoka, ku angazhohet për përfaqësimin e interesave, kërkesave dhe shqetësimeve të studentëve duke shërbyer si një urë lidhëse mes komunitetit studentor, administratës dhe stafit akademik. Kontributi i tij synon përmirësimin e jetës studentore dhe mbështetjen e zhvillimit akademik, social dhe personal të studentëve.
Angazhimi i tij në fushën e rinisë shtrihet edhe jashtë universitetit, përmes përfshirjes në Këshillin Vendor Rinor Durrës, si dhe përmes përvojës vullnetare në organizata të shoqërisë civile dhe grupe rinore. Ka marrë pjesë në trajnime, shkëmbime rinore dhe projekte komunitare me fokus sfidat e të rinjve dhe fuqizimin e tyre në proceset vendimmarrëse.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë në përfaqësimin e zërit të të rinjve, veçanërisht studentëve dhe të advokojë për politika rinore gjithëpërfshirëse të bazuara në nevojat reale të rinisë.
Anja Balliu është studente e vitit të dytë Bachelor në Inxhinieri Kompjuterike dhe Kryetare e Këshillit Studentor në universitetin e saj. Në këtë rol, ajo përfaqëson në mënyrë aktive studentët duke u angazhuar për mbrojtjen e interesave të tyre, përmirësimin e komunikimit me institucionet dhe forcimin e rolit të studentëve në proceset vendimmarrëse.
Angazhimi i saj në fushën e rinisë lidhet drejtpërdrejt me studentët dhe nevojat e tyre reale. Ka kontribuar në këshillimin dhe orientimin e studentëve duke i inkurajuar ata të jenë pjesë aktive e jetës akademike dhe e përfaqësimit studentor. Gjithashtu, ka ndjekur dhe marrë pjesë në aktivitete dhe mbledhje të zhvilluara nga strukturat rinore kombëtare, përfshirë ato të AKR, me qëllim informimin, rritjen e ndërgjegjësimit dhe përgatitjen për një përfaqësim sa më dinjitoz të studentëve.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të jetë një zë i qartë i studentëve, duke punuar për rritjen e përfshirjes së tyre, mbrojtjen e të drejtave studentore dhe ndërtimin e politikave rinore që reflektojnë realisht nevojat e të rinjve në nivel kombëtar.
Anxhela Cala është studente e Drejtësisë në Universitetin Europian të Tiranës dhe angazhimi i saj profesional dhe shoqëror lidhet ngushtë me interesin për drejtësinë, barazinë dhe fuqizimin e të rinjve. Studimet në fushën e drejtësisë i konsideron si një mjet për mbrojtjen e të drejtave dhe nxitjen e standardeve më të larta në shoqëri.
Aktualisht mban pozicionin e Senatores së programit të Drejtësisë, një rol që i ka ofruar përvojë të drejtpërdrejtë në përfaqësim, lidership dhe advokim. Në këtë funksion, është angazhuar në krijimin e urave të komunikimit midis studentëve dhe strukturave drejtuese, duke përfaqësuar shqetësimet, idetë dhe aspiratat e studentëve. Përmes këtij angazhimi, ka zhvilluar aftësi në pjesëmarrjen aktive, advokimin e argumentuar dhe kërkimin e standardeve më të mira në arsim dhe jetën studentore.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë me perspektivën e saj juridike në proceset konsultuese dhe vendimmarrëse, duke mbështetur hartimin e politikave rinore konkrete, të zbatueshme dhe ligjërisht të qëndrueshme. Angazhimi i saj fokusohet në promovimin e nismave që rrisin punësimin e të rinjve, mbrojnë të drejtat sociale dhe forcojnë pjesëmarrjen demokratike.
Enea Trimi është Kryetar i Këshillit Studentor dhe anëtar i Senatit Akademik në Universitetin e Arteve. Angazhimi i tij në përfaqësimin studentor dhe në jetën artistike ka qenë i vazhdueshëm, duke përfshirë pjesëmarrje aktive në evente kulturore, debate publike dhe nisma që synojnë fuqizimin e të rinjve.
Ai e sheh procesin e formimit të mendimit kritik dhe rritjen e ndërgjegjësimit te të rinjtë si një rrugëtim të vazhdueshëm, veçanërisht në fushën e artit, ku krijimtaria luan një rol të rëndësishëm në reflektimin shoqëror dhe ndërtimin e dialogut. Për të, arti përfaqëson një mjet të fuqishëm për të nxitur reflektim, komunikim të qetë dhe modele pozitive që frymëzojnë zhvillim.
Kontributi i tij është fokusuar në krijimin e hapësirave ku të rinjtë inkurajohen të shprehen lirshëm, të marrin përgjegjësi qytetare dhe të angazhohen aktivisht në jetën publike. Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë në politika dhe iniciativa që rrisin ndërgjegjësimin, luftojnë pesimizmin dhe forcojnë rolin e artit si faktor ndryshimi dhe përfshirjeje shoqërore, duke promovuar një rini aktive dhe të vetëdijshme.
Greis Kanani është aktiviste rinore, e angazhuar në fuqizimin e të rinjve, përfshirjen sociale dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive në komunitet. Angazhimi i saj rinor ka qenë i orientuar drejt krijimit të hapësirave ku të rinjtë inkurajohen të zhvillohen personalisht dhe të kontribuojnë në ndryshime pozitive dhe zhvillim të qëndrueshëm. Përmes përfshirjes në iniciativa lokale dhe programe rinore, ka kontribuar në organizimin e aktiviteteve edukative, kulturore dhe sociale me fokus rritjen e ndërgjegjësimit dhe përfshirjes së të rinjve.
Një pjesë e rëndësishme e përvojës së saj lidhet me pjesëmarrjen në projekte dhe aktivitete të programeve Erasmus+, ku ka bashkëpunuar me të rinj nga vende të ndryshme, duke promovuar dialogun ndërkulturor, vullnetarizmin dhe qytetarinë aktive. Gjithashtu, ka përvojë në punën vullnetare me të rinj me aftësi të kufizuara, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi gjithëpërfshirës dhe mbështetës.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të japë kontributin e saj në ndërtimin e politikave rinore gjithëpërfshirëse, përmes bashkëpunimit me të rinjtë dhe angazhimit të vazhdueshëm për përmirësimin e shoqërisë.
Ira Haxhiu është e angazhuar në mënyrë aktive në fushën e përfaqësimit dhe fuqizimit të të rinjve që nga arsimi i mesëm deri në universitet. Gjatë këtij rrugëtimi, ka shërbyer si senatore si në shkollën e mesme ashtu edhe në universitet, duke përfaqësuar interesat e nxënësve dhe studentëve dhe duke kontribuar në proceset vendimmarrëse brenda institucioneve arsimore. Paralelisht, ka qenë dhe vijon të jetë pjesë e Këshillit dhe Qeverisë Studentore, ku ka marrë rol aktiv në organizimin e aktiviteteve edukative, sociale dhe gjithëpërfshirëse.
Gjithashtu, është Brand Ambassador e Kartës Rinore Evropiane, duke kontribuar në promovimin e mundësive dhe përfitimeve që kjo kartë ofron për të rinjtë, si dhe në nxitjen e pjesëmarrjes së tyre aktive në iniciativa kombëtare dhe evropiane.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë në mënyrë të përgjegjshme në përfaqësimin e interesave të të rinjve, duke mbështetur politika dhe nisma që forcojnë pjesëmarrjen rinore, dialogun institucional dhe zhvillimin e qëndrueshëm të rinisë në Shqipëri.
Kristiana Noka është e angazhuar në përfaqësimin studentor dhe në nisma që synojnë fuqizimin e të rinjve. Si pjesë e Këshillit Studentor të Universitetit Europian të Tiranës (UET), ka pasur mundësinë të përfaqësojë interesat e studentëve dhe të kontribuojë në iniciativa që kanë sjellë përmirësime në jetën akademike dhe në dialogun me institucionet.
Përvojat e saj në organizata rinore i kanë forcuar bindjen se bashkëpunimi, vizioni dhe angazhimi i përbashkët i të rinjve krijojnë hapësira reale për zhvillim personal, profesional dhe përfaqësim të qëndrueshëm. Ajo e sheh rininë si një aktor aktiv dhe të domosdoshëm në proceset vendimmarrëse.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë me energji, përkushtim dhe ide të reja, duke ndërtuar ura komunikimi mes studentëve dhe institucioneve. Angazhimi i saj fokusohet në rritjen e mundësive për zhvillim, përfaqësim real dhe krijimin e një mjedisi ku të rinjtë ndihen të dëgjuar, të vlerësuar dhe të përfshirë në veprime konkrete për ndryshim pozitiv.
Leandro Grabovaj, lindur më 25 prill 2004, është student i Drejtësisë në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, me një interes të veçantë për fushën juridike dhe rolin e ligjit në ndërtimin e një shoqërie të drejtë dhe funksionale. Formimi i tij arsimor përfshin edhe Gjimnazin Artistik “Naim Frashëri”, i cili ka ndikuar në zhvillimin e një këndvështrimi kritik dhe kulturor. Ai ka treguar angazhim të vazhdueshëm në çështje rinore, qytetare dhe politike, duke marrë pjesë në iniciativa dhe aktivitete që lidhen me pjesëmarrjen qytetare, bashkëpunimin institucional dhe zhvillimin studentor. Ka ndjekur trajnime dhe aktivitete të organizuara nga Bashkia Vlorë (Këndi i BE-së), organizata të shoqërisë civile dhe institucione akademike, me fokus në politikat rinore, të drejtat qytetare dhe fuqizimin e komunitetit. Përvoja profesionale në sektorin e shërbimeve dhe menaxhimit ka kontribuar në forcimin e aftësive organizative, komunikuese dhe ndjenjës së përgjegjësisë. Interesat e tij për historinë, menaxhimin e turizmit, politikën dhe veçanërisht drejtësinë juridike, e motivojnë të kontribuojë aktivisht në jetën publike. Synimi i tij është të jetë pjesë e Këshillit Kombëtar të Rinisë, duke dhënë një kontribut konkret përmes nismave inovative që nxisin pjesëmarrjen reale të të rinjve në vendimmarrje dhe vlerësojnë angazhimin e tyre përmes kohës, përkushtimit dhe punës vullnetare.
Megi Kuaçka është studente e vitit të katërt në programin e studimit “Drejtësi” pranë Universitetit Europian të Tiranës dhe prej tre vitesh e angazhuar në përfaqësimin studentor. Gjatë kësaj periudhe ka ushtruar për dy mandate funksionin e Presidentes së Këshillit Studentor të UET-së dhe aktualisht mban detyrën e Zëvendëspresidentes, duke përfaqësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të strukturuar interesat e studentëve.
Angazhimi i saj në fushën e rinisë është fokusuar në forcimin e përfaqësimit studentor, ndërtimin e dialogut institucional dhe nxitjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në proceset vendimmarrëse. Përmes këtij angazhimi ka kontribuar në iniciativa që synojnë përmirësimin e jetës studentore, rritjen e transparencës dhe krijimin e hapësirave ku zëri i të rinjve dëgjohet dhe merret në konsideratë.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë me përvojën e saj në përfaqësim, duke sjellë perspektivën e studentëve dhe duke mbështetur politika rinore që lidhen me arsimin, punësimin dhe përfshirjen aktive të rinisë, mbi bazën e përgjegjësisë, bashkëpunimit dhe përfaqësimit real.
Nikolas Rushi është student i Universitetit Metropolitan Tirana në vitin e parë në degën “Inxhinieri elektrike” dhe pjesë e KSUMT si senator i klasës së tij. Lindur në Korçë, ai posedon aftësi të mira komunikuese, bashkëpunues dhe i aftë të ngarkohet me detyra vetë dhe në grup. Gjithashtu është praktik dhe ofron një frymë pozitive në ambientin e punës
Odesa Katroshi është në fazat e para të angazhimit në fushën e rinisë dhe së shpejti do të përfshihet si vullnetare në një organizatë jofitimprurëse, me synimin për të kontribuar në aktivitete që lidhen me zhvillimin personal të të rinjve dhe përfshirjen qytetare. Edhe pse nuk ka ende përvojë të drejtpërdrejtë në projekte rinore, ajo është e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart përfaqësimi i të rinjve dhe e sheh këtë angazhim si një proces mësimi dhe kontributi të vazhdueshëm.
Interesi i saj për t’u bërë pjesë e Këshillit Kombëtar Rinor buron nga bindja se zëri i të rinjve duhet të dëgjohet dhe të përkthehet në ide, iniciativa dhe politika që pasqyrojnë realisht nevojat dhe sfidat e tyre. Në KKR synon të sjellë një perspektivë të re dhe një qasje bashkëpunuese, duke kontribuar në ndërtimin e një dialogu pozitiv dhe gjithëpërfshirës për të rinjtë.
Rea Koçi është studente e Shkencave Politike, me interes të veçantë në politikat publike, të drejtat e njeriut dhe përfshirjen reale të të rinjve në proceset vendimmarrëse. Angazhimi i saj në programe dhe iniciativa rinore, veçanërisht në fushën e të drejtave të të rinjve dhe barazisë gjinore, i ka mundësuar të kuptojë nga afër sfidat me të cilat përballen të rinjtë, pasigurinë për të ardhmen dhe mungesën e hapësirave ku zëri i tyre të dëgjohet me seriozitet dhe të ketë ndikim konkret.
Ajo e sheh përfaqësimin rinor jo si një proces formal, por si një mekanizëm funksional që duhet të prodhojë rezultate të matshme. Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të jetë një zë aktiv që artikulon shqetësimet e studentëve dhe i përkthen ato në propozime konkrete dhe të zbatueshme. Angazhimi i saj fokusohet në forcimin e dialogut mes të rinjve, institucioneve dhe organizatave rinore, si dhe në ndërtimin e politikave që adresojnë përfaqësimin, mirëqenien dhe mbështetjen reale të të rinjve në përditshmëri.
Reada Albajrami është studente e vitit të dytë në Inxhinieri Informatike në Universitetin Europian të Tiranës. Angazhimi i saj në fushën e rinisë ka nisur që në arsimin 9-vjeçar dhe ka vijuar gjatë arsimit të mesëm, përmes roleve drejtuese dhe përfaqësuese që ka mbajtur, duke kontribuar në përfaqësimin e interesave, ideve dhe shqetësimeve të bashkëmoshatarëve me synim përmirësimin e aspekteve sociale dhe akademike.
Aktualisht mban rolin e senatores në universitet, ku është e përfshirë në proceset vendimmarrëse që lidhen me përmirësimin e sistemit universitar për studentët. Përmes komunikimit të vazhdueshëm me të rinjtë, ka njohur nga afër nevojat, idetë dhe shqetësimet e tyre, çka i ka mundësuar zhvillimin e aftësive drejtuese dhe ndërtimin e qasjeve gjithëpërfshirëse.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë me ide konkrete dhe inovative për një rini të orientuar drejt ndryshimit, duke ndërthurur teknologjinë me zhvillimin rinor. Përmes qasjes “Rinia Tech”, synon të fuqizojë të rinjtë, të lehtësojë komunikimin efektiv dhe të nxisë pjesëmarrjen aktive në komunitet, me qëllim krijimin e mundësive reale për një rini më të përfshirë dhe me zë të fortë në politikat rinore.
Sara Hoxhaj është e angazhuar aktive në fushën e rinisë, duke kontribuar në nisma që synojnë fuqizimin e të rinjve, rritjen e pjesëmarrjes qytetare dhe zhvillimin e aftësive personale dhe profesionale. Përmes përfshirjes në aktivitete informuese, bashkëpunuese dhe vullnetare, ajo ka punuar për krijimin e hapësirave ku të rinjtë ndihen të dëgjuar, të informuar dhe të motivuar për të qenë pjesë aktive e proceseve vendimmarrëse.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të japë një kontribut të drejtpërdrejtë në përfaqësimin e interesave të të rinjve, duke promovuar dialogun mes tyre dhe institucioneve, si dhe duke mbështetur politika dhe iniciativa që adresojnë nevojat reale të rinisë. Angazhimi i saj fokusohet në nxitjen e bashkëpunimit, transparencës dhe përfshirjes aktive të të rinjve në çështje që ndikojnë në të ardhmen e tyre.
Xhoana Pole është studente në fushën e Inteligjencës Artificiale dhe prej dy vitesh angazhohet si mentore në programin RoboTech, ku ka punuar drejtpërdrejt me nxënës dhe studentë për zhvillimin e aftësive teknologjike dhe përgatitjen e tyre për sfidat e së ardhmes. Përmes këtij angazhimi, ka kontribuar në nxitjen e të mësuarit praktik dhe shfrytëzimin e mundësive arsimore nga të rinjtë.
Si pjesë e Këshillit Studentor në Universitetin Metropolitan Tirana, është përfshirë në përfaqësimin e studentëve dhe në adresimin e çështjeve që lidhen me jetën akademike, informimin mbi mundësitë e zhvillimit dhe nevojën për dëgjim të strukturuar të zërit të të rinjve. Përvoja e saj është pasuruar edhe përmes angazhimit vullnetar dhe pjesëmarrjes në konferenca ndërkombëtare në Qipro dhe Turqi, me fokus arsimin, teknologjinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë në rritjen e përfshirjes së studentëve në vendimmarrje, forcimin e transparencës dhe promovimin e politikave që i shohin të rinjtë si bashkëkrijues aktivë të së ardhmes.