Agjencia Kombëtare e Rinisë pjesë e dialogut me të rinjtë për reduktimin e riskut nga fatkeqësitë

Në Europe House u zhvillua aktiviteti “Platforma e Dialogut me të Rinjtë mbi Sistemet e Paralajmërimit të Hershëm dhe Uljen e Riskut nga Fatkeqësitë në Shqipëri”, në kuadër të lançimit të fushatës #MbroAtëQëDo.

Aktiviteti krijoi një hapësirë të rëndësishme dialogu me të rinjtë, të cilët prezantuan rekomandime konkrete mbi Sistemet e Paralajmërimit të Hershëm, arsimin dhe zhvillimin e aftësive, si dhe angazhimin dhe veprimin rinor në fushën e reduktimit të riskut nga fatkeqësitë.

Në këtë dialog mori pjesë edhe Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, znj. Sara Bodo, e cila shprehu mbështetjen për fuqizimin e rolit të të rinjve dhe krijimin e më shumë hapësirave ku idetë, kreativiteti dhe inovacioni i tyre të kthehen në veprim konkret.

Në aktivitet morën pjesë gjithashtu përfaqësues të institucioneve kombëtare, organizatave ndërkombëtare dhe partnerëve të zhvillimit, ndër të cilët:

  • Z. Kamal Kishore, Përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë, UNDRR;
  • Z. Haki Çako, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile;
  • Znj. Letizia Fishioni, Agjencia Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS);
  • Znj. Ingrid Macdonald, Koordinatore Rezidente e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri;
  • Znj. Edina Kozma, Zëvendës Përfaqësuese e UNICEF në Shqipëri;
  • Z. Jean-Noel Gangloff, Menaxher i Programit për Ujin, Mbetjet dhe Mbrojtjen Civile, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Gjatë aktivitetit, të rinjtë prezantuan edhe zgjidhje inovative, ndër të cilat TerraNod, Gamifying Shkodra dhe Skuadra Kombëtare e Robotikës, duke dëshmuar potencialin e tyre për të kontribuar përmes teknologjisë, kreativitetit dhe inovacionit në parandalimin dhe reduktimin e riskut nga fatkeqësitë.

Pjesëmarrja aktive e të rinjve në këtë dialog dëshmon rëndësinë e përfshirjes së tyre në hartimin e zgjidhjeve dhe politikave që lidhen me sigurinë, qëndrueshmërinë dhe reagimin ndaj situatave emergjente.

Të rinjtë nuk janë vetëm e ardhmja, por pjesë e rëndësishme e zgjidhjeve të së tashmes.

en_GBEnglish (UK)
National Youth Agency