Ekspozita Multimediale “Krijo Evropën Tënde” – Zëri i të Rinjve për të Ardhmen Evropiane të Shqipërisë

Ekspozita multimediale “Krijo Evropën Tënde” u mbyll me sukses, duke sjellë në Europe House një atmosferë të pasur me energji, kreativitet dhe reflektim qytetar. Të rinjtë nga Elbasani, Tirana dhe Durrësi prezantuan përmes artit vizionin e tyre për Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, duke ofruar ide të guximshme dhe perspektiva të reja mbi të ardhmen evropiane të vendit.

Gjatë aktivitetit, znj. Lutjona Lula theksoi rolin thelbësor të rrjetit Erasmus Student Network Tirana në afrimin e të rinjve shqiptarë me vlerat evropiane, si dhe në fuqizimin e tyre për t’u bërë ambasadorë aktivë të këtyre vlerave në hapësirën evropiane.

Z. Velislav Ivanov, Drejtues Ekipi për Integrimin pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian, vlerësoi lart vizionin dhe mesazhet e përcjella përmes veprave artistike, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian përfaqëson mbi të gjitha një bashkim vlerash dhe parimesh, përtej dimensionit teknik të procesit të integrimit.

Nga ana e tij, z. Klark Radoniqi, Drejtor i Programeve Rinore në Agjencinë Kombëtare të Rinisë (AKR), shprehu mirënjohjen e veçantë për 50 të rinjtë e angazhuar në projekt, për punën, përkushtimin dhe pasionin e treguar, duke riafirmuar angazhimin e AKR për forcimin e shtyllës së Integrimit Evropian dhe përfshirjen aktive e kuptimplotë të të rinjve në këtë proces.

Ekspozita u realizua në kuadër të projektit “Krijo Evropën Tënde”, mbështetur nga Agjencia Kombëtare e Rinisë dhe zbatuar nga Erasmus Student Network Tirana, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit institucional në fuqizimin e zërit rinor dhe ndërtimin e një të ardhmeje evropiane për Shqipërinë.

en_GBEnglish (UK)
National Youth Agency