National Youth Agency mirëpriti ekipin kombëtar shqiptar të matematikës pas pjesëmarrjes së suksesshme në Olimpiadën e 67-të Ndërkombëtare të Matematikës (IMO 2026), të zhvilluar në Shangai, Kinë, një nga kompeticionet më prestigjioze ndërkombëtare në fushën e matematikës.
Ekipi shqiptar përfaqësoi vendin me dinjitet, duke arritur një rezultat të rëndësishëm me dy medalje bronzi dhe një medalje nderi, çka dëshmon nivelin e lartë të përgatitjes, përkushtimit dhe talentit të të rinjve shqiptarë.
Pjesëmarrja e ekipit në këtë olimpiadë u mbështet nga Programi i Talenteve Rinore i National Youth Agency, i cili synon të mbështesë dhe të promovojë të rinjtë me potencial të lartë në fusha si shkenca, sporti, arti dhe inovacioni, duke u krijuar mundësi përfaqësimi në aktivitete dhe kompeticione ndërkombëtare.
Një vlerësim i veçantë iu shpreh edhe Shoqata Shqiptare e Matematikës për bashkëpunimin dhe angazhimin e vazhdueshëm në përgatitjen dhe mbështetjen e ekipit kombëtar. Në këtë edicion, Shqipëria u përfaqësua nga Marius Gjika, Jamarbër Rushitaj, Orest Sherko, Darli Bruzja, Sigi Zalla dhe Noel Kolemarko, nën drejtimin e mentorëve Gledis Kallço dhe Loard Bejko.
National Youth Agency përgëzon nxënësit, mentorët dhe të gjithë kontribuesit për këtë arritje të rëndësishme, e cila përbën një dëshmi të potencialit të të rinjve shqiptarë dhe të rëndësisë së investimit në talent dhe ekselencë.

















