Paraditja e ditës së tretë të RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” iu kushtua mundësive që ofron procesi i integrimit evropian dhe dialogut ndërmjet të rinjve dhe përfaqësuesve të institucioneve.
Programi nisi me një sesion informues mbi Kartën Rinore Evropiane, të zhvilluar nga Sabina Borakaj, përfaqësuese e Youth Act, ku pjesëmarrësit u njohën me përfitimet dhe mundësitë që kjo kartë u ofron të rinjve në fushën e mobilitetit, edukimit, kulturës dhe pjesëmarrjes aktive.
Në vijim u zhvillua paneli “Integrimi Evropian në Praktikë: Sfida dhe Perspektiva për të Rinjtë Shqiptarë”, me pjesëmarrjen e Ogerta Manastirliut, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë, Fatmir Limanit, Ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Vilma Premtit, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe Denion Meidanit, Ambasador i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë panelit u diskutua mbi sfidat dhe mundësitë që lidhen me procesin e integrimit evropian, programet e Bashkimit Evropian për të rinjtë, pjesëmarrjen e tyre në jetën publike dhe rëndësinë e përfshirjes aktive të brezit të ri në proceset vendimmarrëse.
RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” vijon të ofrojë një platformë dialogu dhe bashkëpunimi, duke krijuar hapësira ku të rinjtë ndërveprojnë drejtpërdrejt me përfaqësues të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, shkëmbejnë ide dhe njihen me mundësitë që mbështesin zhvillimin e tyre personal, profesional dhe qytetar.












