Dita e dytë e RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” u karakterizua nga sesione tematike dhe diskutime të fokusuara në fuqizimin e të rinjve, mirëqenien e tyre dhe mundësitë për zhvillim në nivel kombëtar dhe evropian.
Në sesionin “Youth, Peace and Security” dhe Shëndeti Mendor, të zhvilluar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të UNDP dhe UNFPA, pjesëmarrësit diskutuan mbi rëndësinë e shëndetit mendor, ndërtimit të paqes dhe rolit të të rinjve në promovimin e komuniteteve më të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.
Në vijim të programit, u zhvillua paneli “Programet e Bashkimit Evropian dhe Mundësitë për Zhvillimin e të Rinjve”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Rinisë, UNDP, UNICEF dhe AKPA. Gjatë panelit u prezantuan programet EU4Youth, The Youth Guarantee, Grupet Joformale dhe Talentet Rinore, duke informuar të rinjtë mbi mundësitë që këto iniciativa ofrojnë për zhvillimin personal, profesional dhe qytetar.
Diskutimet evidentuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë në krijimin e politikave dhe programeve që mbështesin pjesëmarrjen aktive të të rinjve dhe fuqizimin e potencialit të tyre.
RinCamp 2026 – “N’ZË EVROPË” vijon të shërbejë si një platformë bashkëpunimi, dialogu dhe shkëmbimi përvojash, duke promovuar pjesëmarrjen aktive të të rinjve dhe afrimin e tyre me mundësitë që ofrojnë programet kombëtare dhe ato të Bashkimit Evropian.














