RoboTech hyn në fazën gjysmëfinale: 200 nxënës garojnë për finalen e madhe

Është hapur zyrtarisht faza gjysmëfinale e kompeticionit RoboTech, platforma më e rëndësishme në Shqipëri që promovon inovacionin, robotikën dhe inteligjencën artificiale tek të rinjtë.

Pas tre muajsh trajnimesh intensive të zhvilluara në disa qytete të vendit, 200 nxënës të përzgjedhur, të organizuar në 27 ekipe, po garojnë për të siguruar një vend në finalen e madhe.

Ky është edicioni i tretë i RoboTech, i organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana në bashkëpunim me COD pranë Kryeministrisë, si dhe me mbështetjen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë dhe Startup Albania.

Aktiviteti nisi me prezantimin e rregullave dhe kritereve të vlerësimit, duke vijuar me trajnime mbi aftësitë e prezantimit, konsultime me mentorët dhe përgatitje intensive të projekteve. Në kuadër të garës, nxënësit realizuan edhe testime të robotëve në pistë, në prag të përzgjedhjes së finalistëve.

Në panelin hapës të gjysmëfinales morën pjesë znj. Sara Bodo, Drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Prof. Asoc. Dr. Ligor Nikolla, Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike dhe IT, z. Arjan Cukaj, President i Universitetit Metropolitan Tirana, si dhe PhD (c) Evis Plaku.

Finalistët pritet të shpallen në vijim, ndërsa gara vijon me intensitet të lartë dhe konkurrencë të fortë mes ekipeve pjesëmarrëse.

en_GBEnglish (UK)
National Youth Agency