Klarisa Rexhvelaj është mjeke stomatologe dhe ka zgjeruar formimin e saj akademik duke u specializuar në Shëndet Publik Global dhe Politika Sociale në Universitetin e Greenwich, Londër. Që në fillimet e karrierës, ka kërkuar të ndërthurë përvojën profesionale me angazhimin qytetar, me synimin për të pasur një ndikim të drejtpërdrejtë shoqëror.
Angazhimi i saj ka nisur nga këshillat studentorë dhe protestat studentore, për të vijuar më pas me përfshirjen në institucionet publike, përfshirë punën pranë Komisionit të Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në Parlament. Paralelisht, ka drejtuar organizatën vullnetare “12 Muaj Aktivizëm”, me fokus fuqizimin e të rinjve dhe promovimin e angazhimit aktiv si motor i ndryshimit shoqëror.
Ajo ka përvojë në kërkimin mbi politikat sociale në rajonin e Ballkanit dhe interes të veçantë për inteligjencën artificiale. Në Këshillin Kombëtar Rinor synon të kontribuojë duke sjellë dhe përshtatur praktika dhe modele bashkëkohore nga Mbretëria e Bashkuar, në përputhje me kontekstin dhe nevojat e rinisë shqiptare. Beson se angazhimi aktiv i të rinjve në politikat publike është çelësi për ndryshime të qëndrueshme dhe konkrete.