Veprimtari të rëndësishme 2018

 

Veprimtari të rëndësishme 2018

 

Shërbimi Kombëtar për Rininë organizoi Konferencën Rinore Kombëtare “Përse zgjodha Shqipërinë?”, bazuar në Planin Kombëtar të Veprimit për Rininë, mbi fuqizimin e mbështetjes për të rinjtë dhe organizatat rinore. Konferenca u organizua me të rinj, të kthyer nga emigracioni apo studimet jashtë vendit, që kanë zgjedhur të ndërtojnë të ardhmen në atdhe. Folësit e përzgjedhur janë histori të mirëfillta suksesi në fusha nga më të ndryshmet, si në sipërmarrje, art, kulturë, arsim etj. Një pjesë e tyre ia kanë dalë të bëhen pjesë integrale e administratës publike apo dhe të aderojnë pranë organizatave ndërkombëtare. Ata treguan mbi eksperiencat personale, përjetimet e largimit nga Shqipëria, sfidat dhe vështirësitë e hasura drejt rrugës së suksesit.

SHKOLLA VERORE: RINIA E SHQIPËRISË EUROPIANE

Në shkollën verore morën pjesë plot 150 të rinj që ishin pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës, të rinj vullnetarë të Qendrave tona Rinore, vullnetarë të World Vision si dhe të rinj nga Kosova si pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit në fushën e Rinisë mes dy vendeve tona. Ky kamp u konceptua si një aktivitet dinamik dhe interaktiv duke i dhënë hapësira pjesëmarrësve të shprehin mendimet dhe vizionet e tyre gjatë të gjithë sesioneve të shkollës. Të rinjtë patën mundësi që përmes aktiviteteve të parashikuara, trajnimeve, workshop-eve apo dhe lojërave interaktive sportive si dhe jetesës në komunitet, të zhvillojnë aftësitë e tyre për të qenë në të ardhmen jo vetëm pjesë e denjë e Administratës Publike, por edhe aktivistë të suksesshëm të Shoqërisë Civile për të çuar dhe mbrojtur më tej të drejtat e tyre. Shkolla verore u mundësua nga partnerët tanë të përhershëm si: UNICEF, OSCE, WORLD VISION, OSFA.

“MIQ të një Skuadre” (Dimensioni human i shkollës, gjithë përfshirja, integrimi social i të Rinjve vulnerabël)

Shërbimi Kombëtar për Rininë çeli nismën “Miq të një Skuadre”, me aktivitetin që u organizua, më datë 29 shtator, ora 13:00, pranë Kompleksit Multi-funksional Sportiv Kulturor në Korçë.

E pranishme ishte Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Znj. Lindita Nikolla, që përshëndeti aktivitetin iniciues të kësaj nisme, e cila starton në Korçë me dy ndeshje, përkatësisht një ndeshje basketbolli dhe një volejbolli, e më pas do të shtrihet në gjithë Shqipërinë.

Nisma do të zbatohet në terrenet sportive të shkollave, në kuadër të projektit “Shkolla si qendër komunitare”, duke theksuar rëndësinë e dimensionit human të institucioneve arsimore. Nisma gjithashtu lançohet përgjatë “Javës Europiane të Sportit pa kufij”, një organizim sportiv që mbahet në javën e fundit të muajit shtator, 23 – 30 shtator 2018, nëpër vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe i cili mbështetet edhe nga Komisioni Evropian.

Përmes këtij cikli aktivitetesh, synojmë që të përçojmë mesazhe të qarta me qëllim integrimin social dhe anti-diskriminimin e të rinjve, përmes lojërave të ndryshme sportive, siç janë basketbolli, volejbolli, futbolli etj. Pjesë e gjithë kësaj nisme do të bëhen mësues të rinj të edukimit fizik, sportistë profesionistë, nxënës të shkollave të mesme, përfshirë edhe ata nga grupet vulnerabël.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *