Një letër për çdo mësues…

Një letër për çdo mësues…

Të nderuar mësues,

Ju që sot ndriçoheni duke pritur rreze drite, teksa ju ngrohin me shikimet admiruese dhe kureshtare, e kuptoni se një lot apo një buzëqeshje ka brenda shpirt fëmijëror. Bashkë me emocionin tuaj në këtë ditë, peshon edhe falënderimi ynë i përhershëm për fisnikërinë me të cilën ushtroni detyrën.

Nuk është e lehtë të përjetosh rritjen e një fëmije, të jesh arkitekti që lë gjurmën e së duhurës nëpër shkallët e jetës së një të riu; dhe të ruash ndërgjegjen e pastër kur të shohësh atë grua, apo burrë që plot karakter i përulen thinjave të tua, për të të thënë “më ke ndjekur në rritje, e unë të ndjek gjithë jetën në të ëmblat kujtime”.

Ju mbillni farën e mirësisë, punoni tokën pa bujë e me përulje, e ujisni atë fidan njomështak me virtytin më të lartë njerëzor: duke i mësuar ndershmërinë dhe të vërtetën. E këtë punë e bëni vit pas viti, derisa flokët tuaja shndrisin nga bardhësia, që reflekton përmbushjen me moral të misionit më të vështirë: të shtrosh udhën e të ardhmes së një kombi.

Ndodh edhe të gaboni, t’ju tradhtojnë nervat e të humbisni durimin, të ngrini zërin për të mbajtur qetësinë në klasë; kur realisht duhet të jeni ju që u jepni zë, me të cilin ata do t’ njohin veten e do formojnë identitetin e tyre.

Do doja të ndanim së bashku disa fjalë zemre; nga unë vijnë me përulje, e nga ju do dëshiroja të merreshin si mendime të një kolegeje që i ndjek fëmijët të cilët ju edukoni sot, në auditorë universiteti një të nesërme.
Për mua është dhembje kur shoh të rinj që më binden për gjithçka, që nuk e vënë në dyshim dijen time dhe kanë frikën apo drojën të flasin të lirë atë që mendojnë. Më dhemb teksa kuptoj që kemi brumosur breza të pasigurt në vete, të manipulueshëm lehtësisht dhe të dobët përballë autoritetit. Në ato vatra ku duhet të gurgullojë rebelizmi, jo cinizmi; virtyti, jo dredhia; pasioni, jo paraja; idealizmi, jo shitshmëria; ëndrra, jo kopjimi; shpresa, jo servilizmi; dija, jo dembellëku; profesionalizmi, jo idiotllëku; na duhen të rinj që jetojnë me shpirtin e lirë. Na duhen të rinj që jo vetëm besojnë në ëndrra dhe presin nga dikush tu realizohen; por dinë t’i krijojnë ëndrrat dhe luftojnë për t’i realizuar ato, hap pas hapi, me modesti dhe urtësi.

Ju përgjërohem ta shikoni atë fëmijë që keni sot përpara jush si një burrë shteti të pas shumë viteve; dhe t’i jepni forcën e mjaftueshme që secili prej tyre ta besojë se një ditë mund ta udhëheqë këtë vend. Mësojeni ta vlerësojë veten, sepse vetëm kështu do e vlerësojë koha; ta respektojë shokun dhe mendimin e tij, sepse udha që ka përpara nuk ndiqet e vetme dhe ai fëmija duhet ta dijë që sot, se thjeshtësia është madhështia e njeriut.

Ju nuk jeni vetëm edukuesit e tyre, jo vetëm i mësoni si të nxënë më mirë mbledhjen, zbritjen e numrave, si të lexojnë më rrjedhshëm tekste dhe si të shkruajnë pa gabime.
Ju jeni vëzhgues, këshillues, shoqërues në rrugëtimin e panjohur drejt shtigjeve jetësore. Jeni të parët që dalloni gjeniun tek çdo fëmijë dhe i jepni krahë të fluturojë mes reve. Ju lutem, mos tentoni t’ia thyeni krahët, duke e bërë të rrijë në rresht, për të prodhuar një ditë armatë ushtarësh të bindur. Qëndrojini afër nëse rrëzohet, për t’i dhënë dorën të ngrihet sërish dhe të kërkojë retë! Se një Gjeni e ka qiellin në shpirt, e një fëmijë është gjithmonë Gjeni! Ndihmojini ta duan veten, sepse ata kanë personalitetin e tyre dhe lëndohen apo gëzohen njësoj si një i rritur; edhe ata kanë problemet e tyre… Ju e dini që përpara nuk keni dikë “të vogël për të marrë vesh”, por keni më të bukurën krijesë që kupton aq shumë sa gjithçka e mat me dashurinë.
Dhe në strehën ku fle dashuria, ka zgjuar engjëjt Perëndia! Do e njohin të keqen vetë në jetë, ndaj është detyra juaj tu dëshmoni se mirësia mposht çdo ligësi.

Mamaja ime ende e ruan fletoren time ku mësuesja e klasës së parë kish’ shkruar: “Është një fëmijë rebel, që nuk dëgjon askënd, bën çfarë i thotë koka, zihet dhe më sjell shqetësime në klasë. Por, duhet ta dish gjithashtu, se po rrit një fëmijë aq të talentuar; sa nuk më ka ndodhur gjithë jetën time në këtë punë të shoh dikë të tillë.”
Por fatkeqësisht, edhe pse e njohu atë shkëndijë që zgjohej brenda meje, mbaj mend kritikat “ku i ke kopjuar fjalitë që ke shkruar, se të tuat nuk janë” dhe si më qëllonte me shufrën e drurit në duar, sepse kisha aftësinë të memorizoja një libër të tërë me vjersha dhe kisha etjen ta tregoja. Ajo e kuptoi që po rritej një Poete, por për hir të rregullit dhe shabllonit, zgjodhi të mos më ushqente euforinë.

Mos e bëj i dashur mësues!
Më mirë duro dhembjen e kokës sot dhe jepu hapësirë të jenë të guximshëm dhe të patrembur, sesa t’i ndrydhësh dhe kokë ulur një të nesërme të pranosh se dështove për të qenë ti streha e parë e ëndrrës fëmijnore!

Jepi vetes besimin dhe lirinë për të besuar se një fëmijë veç kur e lë të lirë mund të kthehet në një mrekulli njerëzore!

Faleminderit, e të përulem për lodhjen e përditshme!

Miqësisht,

Irsa Ruçi
Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *