Duarartë që krijojnë pjesë e Histori Suksesi

Historinë rradhës do ta quajmë “Duarartë që krijojnë, por kanë nevojë të punojnë”: 

Prej vitit 2002 në Korçë funksionon qendra “Atelie”, e cila synon të aftësojë të rinj me aftësi ndryshe. Shërbimi Kombëtar për Rininë dhe Radio Televizioni Shqiptar prej disa kohësh po sjell pikërisht këto personazhe, të cilët dinë të luftojnë e të kapërcejnë vështirësitë me të cilat erdhën në jetë. Por, sot veç prezantimit të tre prej tyre, do përcjellim dhe shqetësimin e barrierave për integrimin në tregun e punës.

Klodian Braha është 16-vjeç. I pëlqejnë ngjyrat, i pëlqen të pikturojë e të krijojë punime me mjete të riciklueshme që ai i gjykon të këndshme për syrin. Ndjeshmëria e fortë e karakterit të tij e bën paksa të brishtë, ndërsa përqafimet dhe komplimentet e motivojnë të punojë me pasion.

Ndryshe nga të rinjtë e tjerë me aftësi ndryshe, të cilët kanë pasur rritje të pavarësisë individuale dhe janë larguar nga qendra, Ledia Proko dhe Emanuela Lena vijojnë prej 10 vitesh të jenë pjesë e saj. Ledia Proko është 30 vjeçarja që vuan nga epilepsia. Ajo është aftësuar në shumë procese si në punimet me shajak, rruaza si dhe në kuzhinë.

Po ashtu dhe 31-vjeçarja Emanuela Lena është shumë nikoqire në kuzhinë, di të shprehet përmes pikturës dhe është e aftë të punojë në shajak dhe në krijimin e produkteve të ndryshme artistike. Ajo jeton në kushte të vështira ekonomike, ndërsa ka probleme me lëkurën dhe me shtyllën kurrizore.
Ledia, Emanuela, Klodi, por dhe të gjithë të rinjtë të cilët pavarësisht vështirësive në jetë kanë gjetur një rreze drite të ecin përpara, kanë nevojë të stimulohen duke u promovuar talentin që shfaqin, duke u dhënë zë, por dhe të ndihmohen që të mundin sado pak varfërinë e përditshmërisë ku jetojnë.

Drejtoresha e Qendrës Ditore të Zhvillimit “Atelie” në Korçë, Çiljeta Cami, shprehet se krijimi i një tregu pune për të rinjtë që aftësohen në qendër është i dmosdoshëm për ta. Po ashtu ajo thekson nevojën për përmirësimin e kushteve të qendrës dhe zëvendësimin e mjetit të transportit me një të ri, pasi i vjetri nuk është i përshtatshëm.

Shërbimi Kombëtar për Rininë dhe RTSH nëpërmjet projektit “Një histori suksesi” synojnë të hedhin dritën e ndjeshmërisë tek cilido, që të gjithë bashkë të shohim me sytë e zemrës ata të rinj që përditshmëria i harron në hallet e tyre, por shpirti i tyre rinor nuk harron t’i japë ngjyra përditshmërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *