Drejtori i Përgjithshëm

Irsa Ruçi

Drejtor i Përgjithshëm

Irsa Ruçi ka lindur dhe jeton në Tiranë. Në vitin 2013 –të është diplomuar si studente Ekselente për Gazetari dhe Komunikim, vlerësuar me Medalje nga Universiteti i Tiranës dhe Certifikatë Nderi nga Fakulteti i Histori – Filologjisë. Ndërsa në vitin 2015 –të ka përfunduar studimet Master Shkencor për Marrëdhënie me Publikun, përsëri diplomuar me Medalje, si një ndër studentët më ekselentë që ruan fondi i departamentit. Ka kryer disa specializime në fushën e të Folurit në Publik dhe Komunikimin Politik. Në vitin akademik 2013 – 2014 ka nisur punën si Pegagoge e Jashtme në Universitetin e Tiranës, Departamentin e Gazetari – Komunikimit, një detyrë që e vazhdon me shumë pasion edhe aktualisht. Disa muaj pas diplomimit është angazhuar në Njësinë e Komunikimit dhe Hulumtimit, në Departamentin e Komunikimit, në Kryeministri. Dhe më vonë ka qenë pjesë e stafit të fjalim- shkruesve të Kryeministrit, deri në marrjen e detyrës si Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar për Rininë. Kjo përvojë i dha mundësinë të marrë kulturën më të mirë të punës, disiplinën, etikën dhe njohuritë e duhura për të mirëmenaxhuar çdo përgjegjësi në vazhdimësi. Znj. Ruçi ndjen privilegjin e të qenit Lektore pranë Shkollës Shqiptare të Administratës Publike (ASPA), në lëndën “E drejta e Informimit dhe Informacioni i klasifikuar Sekret Shtetëror”. Znj. Ruçi ka një angazhim shumëvjeçar në fushën e letërsisë; dhe është autore e katër librave poetikë (Trokas mbi ajër (poezi dhe ese, 2008); Pështjellim (poezi, 2010); Bridges of Unity - Urat e bashkimit (antologji poetike, përkthim të rreth 50 autorëve ndërkombëtarë); Poezia e Absurdit (poezi, 2018)). Poezitë e Irsës në anglisht janë botuar në më shumë se 80 revista të ndryshme ndërkombëtare dhe në moshën 17 – të vjeçare ka fituar çmimin e 1 –rë, si Poetja më e mirë në Shqipëri, ndërsa mban dy nominime ndërkombëtare, për çmimin Pushcart Prize (SHBA) dhe Best of the Net (Kanada).